Kupa e Shqipërisë! Garat e çiklizmit po mbahen në Korçë

by admin
Spread the love

Ka përfunduar në Korçë etapa e dytë e turit çiklistik për kupën e Shqipërisë, etapë që për Kadetë ishte e gjatë 63 km ndërsa për kategorinë Elite U23 dhe Junior ishte 94 km. 

Me nisje nga Korça dhe finish në Malin e Thatë rivaliteti i çiklistëve ka qenë i fortë por për kategorinë Kadet i pari që e ka prekur finishin ishte çiklisti i ekipit të Skënderbeut Markelian Bedulla, i cili deri në sekondat e fundit luftoi fort për të fituar këtë garë.

Nga kategoria Elite ishte danezi Bjarke Vodder Nilsen, i cili garonte për ekipin e Tiranës që arriti i pari me kohën 1 orë e 42 minuta ndërsa e konsideroi këtë garë relativisht të vështirë.

“Jam Danez dhe garoj për ekipin e Tiranës. Sa i takon garës ishim 4 çiklistë që bëmë shkëputjen dhe deri në fund vazhduam së bashku deri në Bilisht. Punuam mirë me skuadrën time në shkëputje dhe e dija që do të shkonim kështu deri në fund të garës”, tha Nilsen.

Në përfundim të turit 2 ditor dhe kohës së arritur nga çiklistët vendin e parë për kategorinë kadet e fitoi Jonid Gjoka i Vllaznisë ndërsa për kategorinë Junior ishte Alket Limaja nga ekipi i studentit. Ekipi i Tiranës me Tefik Selain ngritën kupën e vendit të parë për kategorinë Elitë ndërsa për femra ishte Marsela Luzi, e ekipit të Teutës.

Pas përfundimit të kupës së Shqipërisë çiklistët do të vazhdojnë sfidën e tyre në Greqi, ku do të garojnë në nivel Ballkani.


Top Channel

You may also like