Kryediplomatja gjermane: S’ka rrugë të shpejtë për në BE, para statusit kandidat është dialogu me Serbinë

by admin
Spread the love

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, në Prishtinë, tha se para anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian është statusi i kandidatit, ndërsa para statusit të kandidatit është dialogu me Serbinë.

Baerbock thotë se është shumë e rëndësishme që të dyja palët të ulen në tavolinën e dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

“Prandaj jam edhe këtu, për të dhënë një sinjal të qartë sa i përket perspektivës së BE-së, por para anëtarësimit është statusi i kandidatit, dhe para statusit të kandidatit vjen edhe dialogu për normalizim. Prandaj theksova, se ne si Gjermani do të bëjmë gjithçka që do t’ju ndihmojmë dhe t’ju mbështesim që ju të shkoni në këtë rrugë në mënyrë që ky dialog për normalizim të përparojë. Prandaj është e rëndësishme që të dy palët të ulen në këtë tavolinë të dialogut dhe të flasin me njëri tjetrën, duam të theksojmë se kjo mënyrë është Evropa jonë e përbashkët, ne edhe në Evropë kemi bërë premtime në të kaluarën dhe tani duhet që ta mbajmë fjalën”.

“Proceset që i udhëheqë apo i lehtëson BE-ja, dhe përpjekjet që po i bën Lajcak, do t’i mbështesim me gjithçka që kemi”, tha Baerbock.

Kryediplomatja gjermane po ashtu përmendi edhe vuajtjet e kosovarëve në luftën e fundit në Kosovë, për të cilat tha se këto nuk duhet të harrohen.

“Porosia ime sot është gjithashtu se ne po u zgjasim dorën vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt Evropës. Ne shpresojmë që ato do ta përshkojnë këtë rrugë së bashku në kuptim të paqes dhe sigurisë. Një nga përparësitë në këtë është forcimi I besimit në rajon, na duhet para se gjithash përparime në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Për ne është shumë e lehtë të thuhet dhe e kuptoj se sa të dhimbshme janë temat për të cilat bëhet fjalë, pyetje për të cilat ka çdo familje në Kosovë deri sot. Unë nuk mund ta imagjinoj se çfarë do të thotë që këto vuajtje të luftës të cilat I ka përjetuar secila familje, vrasjet ndaj fëmijëve, gjithashtu edhe dhunimet që kanë ndodhur këtu në Kosovë gjatë luftës, këto do të përcillen me gjenerata. Prandaj dua të theksoj se asgjë nga këto duhet të harrohen apo të fshihen në një anë”, tha Baerbock,.

Ajo po ashtu theksoi në dialogun Kosovë-Serbi do të duhen të merren vendime të vështira për t’i krijuar një të ardhme gjeneratës së re.

“Ne si BE dhe si bashkësi ndërkombëtare do të marrim përgjegjësi, dhe në të njëjtën kohë kërkohet pragmatizëm dhe guxim për vendime të vështira për t’ua dhënë gjeneratës së re një mundësi për një të ardhme më të mirë. Këtë po e them këtu, e do ta theksoj edhe nesër në Beograd”, tha Baerbock.

Kryediplomatja gjermane falënderoi Kosovën për qëndrimin e saj sa i përket pushtimit rus në Ukrainë, për të cilën tha se ka treguar që ky vend i përket Evropës.

“Prandaj e falënderoj qeverinë e Kosovës që me solidaritet i është bashkuar masave të BE-së që në fillim. Ky qëndrim i qartë dhe i vendosur ka treguar edhe njëherë sikundër edhe gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i përket Evropës. Ju mund të llogaritni në këtë në rrugën drejt një integrimi evropian gjithnjë e më të fuqishëm. Jemi dhe do të mbetemi partneri i juaj. Si një nga vendet e para në botë, Gjermania e ka njohur Kosovën si një shtet multietnik dhe mbetemi të bindur që të gjitha grupet etnike në këtë vend do të kenë një të ardhme të përbashkët dhe në këtë frymë i gëzohem bashkëpunimit tonë të mëtutjeshëm”, tha Baerbock.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ndjehet i nderuar dhe i gëzuar me vizitën e Ministres se Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, zonjën Annalena Baerbock, si dhe Përfaqësuesin Special të Qeverisë Federale Gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, zotërinë Manuel Sarrazin.

Ai deklaroi se Kosova ka një lidhje të fortë dhe të veçantë me shtetin dhe popullin gjerman: Gjermania ka qëndruar pranë popullit tonë në momentet më të vështira. “Jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj Gjermanisë që ua hapi dyert dhe zemrat refugjatëve nga Kosova. Pas luftës Gjermania ka ndihmuar fuqishëm shtetndërtimin tonë dhe tani vazhdon të na përkrahë me projekte të shumta zhvillimore në Kosovë. Mbi gjysmë milion bashkatdhetarë tanë jetojnë në Gjermani. Puna dhe veprimtaria e mërgatës sonë në Gjermani është jetike për shtetin tonë”.

“Kosova është shtet evropian me një demokraci gjallëruese e cila i jep shpresë gjithë Ballkanit Perëndimor. Prandaj edhe kam kërkuar mbështetje në reformat tona, sidomos në punësim dhe drejtësi”, tha mesa tjerash Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Albin Kurti në konferencën për shtyp pas takimit me ministren e Jashtme Gjermane, Annalena Baerbock:

Të nderuar gazetarë, zonja dhe zotërinj,

Unë sot jam i nderuar dhe i gëzuar me vizitën e Ministres se Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, zonjën Annalena Baerbock, si dhe Përfaqësuesin Special të Qeverisë Federale Gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, zotërinë Manuel Sarrazin.

Kosova ka një lidhje të fortë dhe të veçantë me shtetin dhe popullin gjerman: Gjermania ka qëndruar pranë popullit tonë në momentet më të vështira. Jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj Gjermanisë që ua hapi dyert dhe zemrat refugjatëve nga Kosova. Pas luftës Gjermania ka ndihmuar fuqishëm shtetndërtimin tonë dhe tani vazhdon të na përkrahë me projekte të shumta zhvillimore në Kosovë. Mbi gjysmë milion bashkatdhetarë tanë jetojnë në Gjermani. Puna dhe veprimtaria e mërgatës sonë në Gjermani është jetike për shtetin tonë.

Ministren Berbok e falënderova për vizitën e saj në Kosovë në një kohë mjaft të tensionuar dhe të vështirë jo vetëm për rajonin tonë por për të gjithë botën demokratike. Biseduam me Ministren për situatën politike në rajon, sfidat, por sidomos për mundësitë që kemi para nesh.

E sigurova Ministren që Kosova është partner i qëndrueshëm për Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian. Këtë e kemi dëshmuar edhe duke pranuar refugjatë afganë dhe po e tregojmë tani gjatë krizës së Ukrainës: I jemi bashkuar sanksioneve Evropiane dhe Amerikane kundër Rusisë, kemi shprehur gatishmërinë për të pranuar dhe mundësuar kushte pune për 20 gazetarë ukrainas dhe gatishmëri për strehim të deri 5000 refugjatëve nga Ukraina.

Gjithashtu kam informuar Ministren për punën e Qeverisë sonë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe kam treguar mbi ndikimet direkte dhe pozitive që reformat kanë pasur e vazhdojnë të kenë në performancën e ekonomisë së Kosovës.

Si Kryeministër i një qeverie të re dhe progresive kam pasur kënaqësinë të bashkëbisedojmë, sidomos për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin tonë dypalësh, i cili është duke u intensifikuar më shumë se sa më parë. Kjo shihet sidomos në rritjen e eksportit kosovar me destinacion në Gjermani, por edhe investimet direkte të shtuara nga Gjermania në Kosovë.

Kosova është shtet evropian me një demokraci gjallëruese e cila i jep shpresë gjithë Ballkanit Perëndimor. Prandaj edhe kam kërkuar mbështetje në reformat tona, sidomos në punësim dhe drejtësi. Në këtë drejtim na duhet ndihmë nga Bashkimi Evropian, dhe fondet që duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së, e që janë të domosdoshme në mënyrë që të ketë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, e këto vlera siç e dimë që të gjithë, janë: sundimi i ligjit, demokratizimi, përballja me të kaluarën dhe reciprociteti i të drejtave të pakicave, etj.

Kosova duhet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së në infrastrukturë, në energji dhe në projekte zhvillimore. Gjermania si anëtare me ndikim të madh brenda BE-së mund të na ndihmojë më shumë në këtë drejtim dhe këtë kam kërkuar nga Ministrja Berbok.

Po ashtu, e informova ministren me rolin pozitiv e pro-aktiv që Kosova po luan në çështjet rajonale, por edhe me sfidat që po has. Kosova është përkrahëse e fuqishme e Procesit të Berlinit dhe e Tregut të Përbashkët Rajonal. Në këtë drejtim jam i inkurajuar me fokusin e ri që do të marrë Procesi i Berlinit nën udhëheqjen e Kancelarit Sholz, Ministres Baerbock dhe Përfaqësuesit Sarrazin.

Në fushën e energjisë jam i lumtur të shoh që synimet tona përputhen veçanërisht sa i përket nevojës për të gjetur mundësi për furnizim të pavarur dhe të qëndrueshëm me energji. Ne jemi të përkushtuar për zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor që përfshinë dekarbonizimin, ekonominë qarkore, masat kundër ndotjes, ushqim të sigurt dhe mbrojtjen e ekosistemit tonë.

You may also like