Klubi instrukton lojtarët për incidentet me tifozët, Barcelona vendos policë

by admin
Spread the love

Lojtarët e Barcelonës ndihen të lodhur. Dalja nga qendra stërvitore pothuajse është kthyer në një mundim për futbollistët. Çdo ditë ka grupe fansash të rinj në kërkim të një videoje që mund të bëhet “virale” ose një autograf, të cilin më pas e shesin, dhe shumë prej këtyre fansave (disa influencues (influencer/tiktokers)) nuk hezitojnë të provokojnë lojtarët dhe të arrijnë qëllimin e tyre.

Rasti më i fundit ishte ai i Injigo Martinez, që për pak sa nuk u kap fizikisht me një “tiktoker”. Kjo ka sjellë reagimin e klubit. Barça po kërkon zgjidhje të tjera më komplekse, që përfshijnë dhe ndërhyrjen e policisë, sepse masat e deritanishme kanë rezultuar të pamjaftueshme. Nisur nga kjo situatë, të cilën futbollistët e kanë denoncuar, klubi po zhvillon takime me policinë vendore të Sant Joan Despí dhe “Mossos d’Esquadra” (policia) për të parë se çfarë mund të bëjnë për të ndaluar këto incidente, që ato të mos të përsëriten. Edhe lojtarët kanë marrë pjesë në bisedime që të dinë si të veprojnë dhe të mos bien pre e provokimeve.

Të rinjtë që shfaqen dyerve të klubit kanë dy objektiva. Nga njëra anë, ata kërkojnë të regjistrojnë video provokuese që sigurojnë shumë shikime dhe ndërveprime në rrjetet sociale, për të cilën nuk ngurrojnë të ngacmojnë, ofendojnë e madje të godasin makinat e lojtarëve. Sa më energjik të jetë reagimi i lojtarëve, aq më i madh është ndikimi dhe shikueshmëria në rrjetet sociale apo platformat e tjera. Objektivi tjetër është të sigurojnë një autograf, qoftë në një bluzë apo në një fotografi, apo dhe thjesht një foto dhe më pas ta shesin dhe të nxjerrë përfitime financiare. Në disa raste, ata “gënjejnë” lojtarët se janë për qëllime bamirësie, por kjo është për të fituar para.

BISEDA ME LOJTARËT – Klubi mban takime të rregullta me lojtarët për t’u shpjeguar atyre rreziqet e qëndrimit jashtë ambienteve, pasi mund të gjenden mes një grumbulli njerëzish në rrugët publike që mund të bëhesh shkak për incidente si ai me Injigo Martinezin, si dhe për t’i paralajmëruar ata për pasojat e rënies në provokimet e tyre: dëmtim reputacioni për futbollistin dhe për klubin.

MASA TË TJERA – Klubi ka vendosur që pak muaj më parë të mos bëjë publike oraret e seancave stërvitore për të penguar praninë e elementëve bezdisës. Por deri më tani kjo masë nuk ka rezultuar efektive. Ndërkaq, siç raportojnë mediat spanjolle, klubi blaugrana po harton një plan me forcat e policisë së Barcelonës, që t’i shoqërojnë lojtarët me një patrullë në momentin e daljes së tyre nga qendra stërvitore e ekipit. Deri më tani kjo ka qenë e pamundur, për çështje kompetencash, por kushtet mund ta diktojnë një marrëveshje.

LEDJO SEFERKOLLI=PANORAMASPORT.AL

You may also like