Kievi sulmohet me breshëri raketash nga Rusia

by admin
Spread the love

Zyrtarët e Kievit raportuan një sulm ajror jashtëzakonisht të ashpër nga Rusia në orët e para të së martës, duke përfshirë përdorimin e dronëve dhe raketave.

Ky shënon sulmin e tetë ajror në kryeqytetin ukrainas këtë muaj.

Sipas një deklarate të postuar në aplikacionin e mesazheve Telegram, Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit, e përshkroi sulmin e fundit ajror nga Rusia si të paprecedentë në intensitetin e tij, me numrin më të madh të raketave sulmuese të lëshuara për një kohë të shkurtë.

“Sipas informacioneve paraprake, shumica dërrmuese e objektivave të armikut në hapësirën ajrore të Kievit u zbuluan dhe u shkatërruan”, tha Popko.

Numri i objektivave të goditura dhe të shkatërruara gjatë sulmit ajror në Kiev nuk dihet për momentin.

Rusia kishte pezulluar sulmet e saj me raketa me rreze të gjatë veprimi për disa javë, por rifilloi taktikën në fund të prillit, duke nisur sulme të shumta në ditët e fundit, me Kievin që ishte një objektiv i shpeshtë.

Pavarësisht sulmeve, Ukraina i ka zmbrapsur me sukses shumicën e tyre.

Sipas zyrtarëve, mbeturinat e raketave ranë në disa rrethe të Kievit, duke përfshirë Obolonski, Shevchenkivski, Solomyanski dhe Darnitski, të martën.

Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko raportoi se mbeturinat që ranë dogjën shumë makina dhe shkaktuan dëmtime në një ndërtesë në lagjen Solomyanskyi në pjesën perëndimore të kryeqytetit.

Nga ngjarja kanë mbetur të plagosur tre persona.

Sipas Klitschkos, një sulm me dron u zmbraps nga sistemet e mbrojtjes ajrore në jug të Borispilit.

Borispil ndodhet në juglindje të Kievit dhe është shtëpia e aeroportit kryesor civil të kryeqytetit, i cili aktualisht është i mbyllur.

Administrata ushtarake raportoi se dëmet në rrethet e tjera nuk ishin të mëdha dhe nuk kishte informacion të menjëhershëm për viktima të mundshme.

Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan pothuajse në të gjithë vendin për më shumë se tre orë të martën, në Kiev dhe zonën përreth.

Më 16 maj, Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës raportoi se Rusia kishte lëshuar të paktën 18 raketa, në objektiva të ndryshme në Ukrainë, por të gjitha ato u kapën nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.

Sulmi u nis nga tre drejtime të ndryshme, duke filluar nga ora 3:30 e mëngjesit me orën lokale.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase raportoi se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur 48 sulme ajrore përgjatë vijës së frontit në Donjeck.

Ushtria deklaroi se qytetet Bahmut, Avdivka dhe Marinka mbetën vatrat e luftimeve më intensive në Donjenck, ku u zhvilluan 49 operacione ushtarake në 48 orët e fundit.

Më 15 maj, katër civilë u vranë në një sulm me raketa ruse në një spital Avdivka, tha guvernatori rajonal Pavlo Kyrylenko.

Presidenti Ukrainës, Volodymyr Zelensky më 15 maj tha në një video të regjistruar në tren teksa po kthehej për në Kiev nga turneu i tij evropian, se po kthehej me paketa të reja mbrojtëse, duke përfshirë “më shumë municion, armë më të forta, më shumë mbrojtje për popullin dhe më shumë mbështetje politike”.

Gjatë një takimi në Londër më 15 maj, Zelensky dhe kryeministri britanik Rishi Sunak folën për krijimin e një koalicioni për të trajnuar pilotët ukrainas për avionë luftarakë modernë, të cilin Zelensky e konsideroi vendimtar pasi Ukrainës aktualisht i mungon kontrolli mbi hapësirën e saj ajrore.

Ideja për një koalicion të tillë është propozuar nga Ukraina edhe më pare, ku është kërkuar që edhe Shtetet e Bashkuara të marrin pjesë.

Pas takimeve me liderët evropianë, Zelensky u shpreh optimist në lidhje me mundësinë e krijimit të koalicionit dhe sinjalizoi se do të ketë zhvillime të rëndësishme. Në paraqitjen e tij, Zelensky tha se Britania dhe Polonia kishin rënë dakord t’i bashkoheshin koalicionit.

“Britania – po. Polonia – po. Dhe jam i sigurt se Franca dhe partnerët e tjerë do të bashkohen”, tha ai.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Franca ishte e hapur për trajnimin e pilotëve të avionëve luftarakë ukrainas në Francë, dhe se këto programe trajnimi mund të fillojnë menjëherë.

Shumica e vendeve perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, i kanë rezistuar kërkesave të Ukrainës për avionë luftarakë për shkak të shqetësimeve për përshkallëzim të luftës./REL


Top Channel

You may also like