KGJK emëron tre anëtarët gjyqtarë për të shërbyer në përzgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve në OSHP

by admin
Spread the love

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) në takimin e 282-të, të mërkurën, ka emëruar gjykatësit Rrustem Thaqi, Franciska Zhitija dhe Nikola Petronijeviq, për të shërbyer në Organin Përzgjedhës të Pavarur, për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Më pas, Këshilli ka miratuar edhe draft-raportin vjetor të KGJG-së për vitin 2021, raport ky i cili më pas do t’i dorëzohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas kryesuesit të KGjK-së, Albert Zogaj, ky draft-raport është diskutuar gjerësisht në njësitë e Këshillit dhe nga vet përbërja e këtij institucioni dhe sipas tij, ai përmbledh në mënyrë të tërësishme punën e Këshillit për vitin e kaluar dhe është pasqyrim i plotë i tërë aktiviteteve të rëndësishme për vitin 2021.

Po ashtu, në këtë mbledhje Këshilli ka aprovuar ndryshimin e planit vjetor të punës për vitin 2022 për Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe Gjykatën Themelore në Prishtinë, sipas propozimeve të bëra nga kryetarët e këtyre gjykatave.

Pikë tjetër për të cilën është diskutuar në mbledhjen e sotme ka qenë edhe ajo lidhur me kriteret për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Apel.

Lidhur me këtë, kryetarja e Komisionit për Vlerësim të Performancës, gjykatësja Teuta Ibrahimi ka njoftuar se kanë hasur në probleme tek kriteri i vlerësimit të përmbushjes së normës orientuese të gjyqtarëve të Departamentit Special, ngase ky departament aktualisht nuk ka një normë orientuese.

“Anda, kemi kërku një sqarim prej Këshillit dhe Zyrës Ligjore. Siç edhe ju kam informu, sipas të dhënave statistikore, ngarkesa me lëndë në këtë departament për vitin 2021 ka qenë 0,5 lëndë për muaj, apo 6 lëndë në vit, mesatarja për një gjyqtar. Mesatarja e lëndëve në punë në fund të vitit 2021 ka qenë 0,67 lëndë për muaj apo 8.4 lëndë në vit për gjyqtar”, tha gjyqtarja Ibrahimi.

Lidhur me këtë çështje, KGJK mori vendim që të aprovohet opinioni ligjor i rekomanduar nga Zyra ligjore me këtë formulim: që të autorizohet Komisioni për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve që të bëjë vlerësimin e performancës së gjyqtarëve në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të Apelit.

Po ashtu, është vendosur që ky komision, për shkak të mungesës së normës orientuese në Departamentin Special gjatë vlerësimit duhet të marrë parasysh kriteret si në vijim: që gjyqtarët të vlerësohen në mënyrë analoge me gjyqtarët e Departamentit për Krime të Rënda, duke mos pasur referencë numrin e lëndëve, sepse ka specifika, pastaj të merren parasysh numri i lëndëve të pranuara, numri i lëndëve të përfunduara në proporcion me numrin e lëndëve të pranuara, caktimi dhe mbajtja e seancave për të vlerësuar angazhimin efektiv të gjyqtarit, natyra e lëndëve dhe kompleksiteti i tyre dhe numri i përgjithshëm i lëndëve të përfunduara brenda periudhës vjetore.

Po ashtu, në këtë mbledhje, Këshilli ka aprovuar kërkesën e gjyqtares Ajser Skenderi për lirimin e saj nga funksioni i anëtares në Komitetin Këshillëdhënës për Etikës Gjyqësore.

Në vend të saj, në këtë pozitë Këshilli e ka caktuar gjykatësen nga Gjykata Themelore në Gjilan, Snezana Mihajlovic.

Mes tjerash, u aprovua edhe njoftimi i Departamentit të Administratës së Përgjithshme të SKGJK-së, për pensionimin e gjyqtares së Gjykatës Supreme, Jelena Krivokapic.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy pika të mbyllura për shqyrtimin e ankesës së kandidatit për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/09/2022/GJTHGJL-GJS-2022-006.

Ky takim, fillimisht ishte caktuar të mbahej më 12 prill 2022, mirëpo mungesa e anëtares Tetuta Ibrahimi dhe përfundimi i mandatit të anëtares Radojka Trifunovic, u bënë shkak që Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) të mos mund ta zhvillojë këtë mbledhje.

You may also like