Keni të fala të gjithë, pa përjashtim, nga çlirimtarët tanë – Shqip

by admin
Spread the love

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vizituar ish-komandantët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, që po gjykohen në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Ai tha se kjo vizitë e tij është e para pas gjashtë muajsh, teksa theksoi se dyshja ishin me moral të lartë dhe besimplotë në të drejtën e tyre, të Kosovës dhe të luftës së shenjtë për liri.

“Pas gati gjashtë muajsh, sot vizitova përsëri Presidentin Thaçi dhe Kryetarin Veseli në Hagë. I gjeta ashtu siç i kisha lënë herën e fundit: me moral të lartë dhe besimplotë në të drejtën e tyre, në të drejtën e Kosovës dhe në të drejtën e luftës së shenjtë të popullit tonë për liri. Të gjithë bashkëndjejnë dhe jetojnë çdo ditë me fatin e Kosovës dhe qytetarëve tanë. Ndonëse liria fizike e tyre është e kufizuar, shpirti i tyre mbetet i pathyer”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Fjalët, qëndrimi dhe kurajo e tyre, tha Krasniqi më tej, “më bindin në secilën vizitë se të tillë do të mbeten deri në ditën e madhe të rikthimit në atdhe”.

Ndërkaq, kryetari i PDK-së tha se qëndrimi i tyre në paraburgim është i padrejtë.

“Megjithatë, qëndrimi i tyre i padrejtë në këtë vend, vazhdon të na rikujtojë sakrificat dhe çmimin e lartë të lirisë – që populli ynë vazhdon të paguajë edhe pas 25 vitesh”.

“Keni të fala të gjithë, pa përjashtim, nga çlirimtarët tanë. Pa dyshim, dielli do të lind përsëri”, përfundoi Krasniqi.

You may also like