Katy Perry shpërthen në lot, e frustruar nga dështimi i shtetit

by admin
Spread the love

Këngëtarja e cila po shërben si anëtare e jurisë së shout “American Idol”, Katy Perry, shpërtheu në lot gjatë episodit të fundit të shout, pas deklaratave të një konkurrenti i cili është i mbijetuar i ngjarjes tragjike të të shtënave me armë zjarri në shkollën e tij.

21-vjeçari, Trey Louis, nga Texasi, vendosi që ta interpretojë një version të hitit “Stone” nga grupi i muzikës country, “Whiskey Myers”, para anëtarëve të jurisë së përbërë nga Perry, Lionel Richie dhe Luke Bryan. Pas përfundimit të performancës, ai zbuloi se është i mbijetuar i të shtënave me armë zjarri në shkollën e mesme në Santa Fe, ngjarje kjo e cila ndodhi në vitin 2018 dhe ku e humbën jetën tetë nxënës dhe 2 mësuese.

“Unë jam nga qyteti Santa Fe. Në maj të vitit 2018, një person i armatosur hyri në shkollën time. Unë isha në dhomën e artit 1. Ai qëlloi lart në dhomën e artit 2 përpara se të vinte drejt vendit ku një grup i nxënësve po fshiheshim. Kam humbur shumë miq atë ditë. Tetë nxënës u vranë. Dy mësuese po ashtu. Thjesht ka qenë me të vërtetë një ngjarje negative dhe qyteti ynë nuk e ka marrë veten nga ajo kohë”, deklaroi Louis para yjeve të muzikës.

Por, menjëherë pas kësaj deklarate të konkurrentit, Katy Perry, e prekur nga rrëfimi i tij shpërtheu në lot duke thënë: “Shteti ynë ka dështuar. Kjo nuk është në rregull. Ti duhet të jesh këtu duke kënduar nga dashuria për muzikën, jo nga dhimbja e humbjes së shokëve dhe jo për shkak se je detyruar ta përjetosh një tragjedi të tillë. Ti nuk është dashur t’i humbasësh tetë miqtë e tu. Shpresoj që do t’ia kujtosh njerëzve se ne duhet të ndryshojmë. Sepse edhe unë kam frikë për të ardhmen e fëmijëve tanë”.

Edhe anëtarët e tjerë të jurisë, Richie dhe Bryan, u shfaqën të prekur nga fjalët e konkurrentit si dhe e ngushëlluan kolegen e tyre, para se të bënin thirrje për ndryshim në ligjin e kontrollit të armëve. Në fund, juria e përgëzoi Louisin për performancën dhe e dërgoi atë në raundin tjetër të konkurrimit.

You may also like