KAJRO – Turqi-Egjipt bisedime për rritjen e marrëdhënieve tregtare

by admin
Spread the love

KAJRO, 14 shkurt /ATSH-DPA/- Egjipti dhe Turqia kanë planifikuar të rrisin tregtinë dypalëshe, ndërsa të dy presidentët shprehën përafrimin e tyre në zhvillimet rajonale pas më shumë se një dekade tendosjeje diplomatike.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan mbërriti sot në Egjipt, në vizitën e tij të parë në vendin e Afrikës Veriore, pas më shumë se 11 vjetësh për të zhvilluar bisedime me homologun e tij egjiptian Abdel-Fattah al-Sissi.

Të dy liderët shprehën nevojën për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës dhe një shpërndarje të shpejtë të ndihmave humanitare për banorët në enklavë.

Erdogan tha se Turqia nuk pranon asnjë përpjekje për “shpopullimin” e Gazës dhe mbështet Egjiptin në qëndrimin e tij.

Kajro ka thënë vazhdimisht se kundërshton zhvendosjen e detyruar të palestinezëve jashtë Gazës, duke theksuar se kjo minon kauzën palestineze.

Erdogan gjithashtu i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të mos lejojë “çmendurinë” që do të rezultonte në “gjenocid”, duke iu referuar sulmit izraelit në Rafah, në jug të Rripit të Gazës në kufirin me Egjiptin.

Rafah aktualisht është shtëpia e rreth 1,3 milionë banorëve, të cilët kanë ikur nga sulmet në pjesën tjetër të Rripit.

Turqia dhe Egjipti kanë planifikuar të rrisin tregtinë dypalëshe në 15 miliardë dollarë.

Vizita e fundit e Erdoganit në Kajro ishte në nëntor 2012. Një vit më vonë, marrëdhëniet u përkeqësuan pasi ushtria egjiptiane, në atë kohë e udhëhequr nga al-Sissi, rrëzoi presidentin islamik të Egjiptit në atë kohë, Mohammed Morsi.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet e Erdoganit ishte një mbështetëse kryesore e Vëllazërisë Myslimane të Morsit.

Si përgjigje, Egjipti dëboi ambasadorin turk dhe dobësoi marrëdhëniet me Ankaranë.

Vitin e kaluar, Egjipti dhe Turqia emëruan ambasadorë të rinj pasi ranë dakord të përmirësojnë përsëri lidhjet e tyre. //a.i./

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like