Izraeli kundërpërgjigjet pas bombave në Lartësitë Golan, sulme hakmarrëse në Siri

by admin
Spread the love

Izraeli ka ndërmarrë sulme me artileri në Siri këtë të diel pasi disa raketa u hodhën prej Sirisë dhe goditën Rrafshnaltën e Golanit.

Sulmet hakmarrëse të Izraelit për raketat e hedhura nga Siria – përgjegjësinë për të cilat nuk e ka marrë ende askush – paraqesin episodin e fundit të përshkallëzimit të dhunës në rajon.

Gjashtë raketa u lëshuan drejt Izraelit mbrëmjen e së shtunës dhe dy goditën Rrafshnaltën e Golanit, tha ushtria izraelite. Të paktën një raketë është rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Izraelit. Rajoni prej 1.200 kilometrash – që patrullohet nga ushtarë izraelitë dhe gjendet në kufi me Libanin – u mor nga Siria më 1967 gjatë Luftës Gjashtëditore. Izraeli më vonë e aneksoi këtë rajon, lëvizje që kurrë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Rritja e dhunës vjen në kohën kur myslimanët janë në Muajin e Ramazanit dhe hebrenjtë dhe të krishterët festojnë Pashkët. Më herët gjatë javës, policia izraelite pengoi lutjet në xhaminë Al-Aqsa – vendin e tretë më të shenjtë të myslimanëve – duke argumentuar se “disa të rinj, shkelës të ligjit” ishin barrikaduar brenda xhamisë.

Një ditë më vonë, mbi 30 raketa u lëshuan nga territori i Libanit drejt Izraelit dhe për këto sulme Izraeli fajësoi grupet palestineze por goditi edhe objektiva në Libanin jugor.


Top Channel

You may also like