Iraku dënon ‘operacionin e qartë të eliminimit’ pas sulmit ajror të SHBA në Bagdad (fotot)

by admin
Spread the love

Bagdad tha sot se SHBA ‘është kthyer në një faktor destabilizimi dhe kërcënon të ngatërrojë Irakun në ciklin e konfliktit’.

Iraku ka denoncuar një sulm me dron të ushtrisë amerikane në Bagdad ku u vra drejtuesi një grupi militant të lidhur me Iranin, duke thënë se koalicioni ushtarak i drejtuar nga SHBA “po kthehet në një faktor për destabilizim”, shkruan rrjeti i Katarit Al Jaseera.

Zëdhënësi i ushtrisë vendase Yahya Rasool tha se sulmet e përsëritura nga SHBA po shtyjnë qeverinë e Irakut drejt fundit të misionit të koalicionit ushtarak.

SHBA ka kryer goditje të shpeshta ndaj objektivave e grupeve të armatosura të lidhura me Iranin, si dhe sulme me dron ose me artileri ndaj trupave të tyre në Irak e Siri.

Në sulmin e mbrëmshëm raportohet se u vra një drejtues i grupit ‘Kataib Hezbollah’, i cili mbështetet nga Irani, për të cilin Pentagoni ka thënë se është autor i një sulmi ku u vranë tre ushtarë amerikanë në Jordani.

Automjeti i goditur raportohet se i përkiste grupeve të armatosura të mbështetura nga Irani.

Por Rasool shtoi se forcat e koalicionit amerikan po godasin në mënyrë “të vazhdueshme e pa përgjegjësi” duke kryer në vendin e tij  “operacione të qarta eliminimi”, të cilat sipas tij nuk merakosen për jetët e civilëve dhe për ligjin ndërkombëtar.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ka thënë se Uashingtoni po “bombardon objektiva në këtë rajon jo për të nxitur përshkallëzimin, por për ta parandaluar atë”, raporton gazetari i Al Jazeera, Shihab Rattansi, nga Uashington.

“Ka bërë të ngrihen shumë pikëpyetje mbi përshkallëzimet e konfliktit që po shihen në rajon, që janë të lidhura me bombardimet e Izraelit në Gaza. Por e vetmja gjë që SHBA nuk bën është të ndalojë Izraelin të bombardojë Gazën”, tha Rattansi.

SHBA ka disa baza ushtarake në Irak që përdoren dhe nga aleatët e saj që prej luftës kundër ISIS.

Muajin e kaluar kryeministri iraken Mohammed al-Sudani tha se kërkon bisedime për diskutimin e mbylljes së misionit të koalicionit amerikan në vend.

“Zyrtarët e administratës thonë se kjo nuk ka mbaruar dhe se do të ketë më shumë sulme në kohën dhe vendin që zgjedh SHBA”, tha Rattansi.