Inspektorati i Arsimit në terren për rastin “Ëmbla”

by admin
Spread the love

Inspektorati i Arsimit ka konstatuar se nuk është respektuar procesi i arsimit gjithëpërfshirës në rastin e Ëmbës, vajzës me Sindromin Down në Gostivar. Këtë për TV21 e konfirmuan edhe nga Ministria e Arsimit, nga ku tregojnë se inspektorët sot kanë qenë në terren. Tani mbetet të shihet veprimet që do të marrë Komuna e Gostivarit, nën vartësinë e së cilës janë shkollat fillore. Kryetarin e komunës Arben Taravari e pyetëm nëse mendon se duhet të shkarkohet drejtori i shkollës?

“Te hënën do te kem takim me prindërit e fëmijëve në shkollë, kam thirrur edhe përfaqësues nga komisioni për diskriminim dhe do te diskutojmë së bashku. Me vendime nuk duhet të shpejtohet, duhet gjykuar sa më drejtë dhe sa më racionalisht. Nuk na duhen stigmatizime shoqërore, por zgjidhje problemesh”, tha Arben Taravari, kryetar i Gostivarit.

Për Ëmblën ka reaguar edhe UNICEF, duke shkruar se autoritetet lokale duhet ta shqyrtojnë realizimin e hetimit për të siguruar llogaridhënie të atyre që kanë dështuar në respektimin e te drejtave të fëmijëve.

“UNICEF-i e dënon diskriminimin e raportuar ndaj nxënësit 11-vjeçar nga Gostivari dhe kërkon urgjentisht përpjekje më të mëdha kolektive për të siguruar që të gjithë fëmijët të mund ta realizojnë të drejtën e tyre për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës. Autoritetet shtetërore dhe lokale duhet ta shqyrtojnë realizimin e hetimit për të siguruar llogaridhënie të atyre që kanë dështuar në respektimin e te drejtave të fëmijëve me paaftësi dhe për parandalimin e zhvillimeve të tilla në të ardhmen”, thonë nga UNICEF.

Ndryshe Ëmbla Ademi, që është me Sindromin Down, pas një peticioni të prindërve të nxënësve të tjerë të klasës, ishte veçuar në një klasë tjetër ku ishte vetëm me asistenten e saj. Prindërit e kishin kushtëzuar udhëheqësinë e shkollës për ta bërë këtë, nën “kërcënimin” se do të bojkotojnë mësimin, andaj edhe Ëmbla ishte larguar nga klasa. Në kërkim të përgjegjësisë për drejtorin e shkollës fillore “Bashkimi” në Gostivar, në formë online është iniciuar një peticion për shkarkimin e drejtorit, ndërsa deri tani janë mbledhur mbi 2 mijë nënshkrime./TV21

You may also like