“I futëm fëmijët në thasë, gratë mbanin shishe helmi”, historia e familjes që u arratis nga Koreja e Veriut – Shqip

by admin
Spread the love

Një histori unike e një familjeje të arratisur nga vendi i tyre i cili në fakt ishte kthyer në makth për ta.

Z.Kim ka rrëfyer për BBC se si ai bashkë me gruan shtatzënë, nënën dhe familjen e vëllait të tij ia dolën të iknin nga Koreja e Veriut. Është arratisja e parë e regjistruar këtë vit. Siç dihet tashmë, ky shtet aziatik është totalisht i izoluar nga pjesa tjetër e botës.

Kim dhe familjarët e tij u arratisën nga deti gjatë një nate plot stuhi. Ai tregon se e zgjodhi qëllimisht motin e keq, pasi vetëm në këtë mënyrë nuk do të mund të pikasej nga patrullat.

Fëmijët e vëllait të tij po flinin sepse u kishin dhënë pilula gjumi. Për të dalë në det, atyre iu desh të kalonin një fushë të minuar dhe të shmangnin prozhektorët e rojeve kufitare. Pasi hipën në një varkë të vogël, ata i fshehën fëmijët në thasë të vjetër dhe u nisën për në Kore të Jugut. Dy vëllezërit mbanin me vete shpata, ndërsa gratë shishe me helm. Një gabim i vogël dhe ata do të përfundonin të pushkatuar.

Teksa tregon për jetën në Korenë e Veriut, Kim thotë se atje kanë vuajtur shumë e veçanërisht në ditët para pandemisë së Covid-19.

Ishim të tmerruar, u izoluan të gjithë. Shumë kanë vdekur nga uria”, kujton ai.

Siç shprehet ai, qeveria atje përdori pandeminë për të aplikuar masa ekstreme represioni, në një vend që gjithnjë kishte qenë i mbyllur. “Çmimet kapën kulmin, ndërsa çdo ditë dëgjoje për njerëz që vdisnin për bukë”, thotë Kim.

Nuk ka shifra zyrtare për vdekjet nga uria në Korenë e Veriut, megjithatë është fakt se në mars të vitit 2023 vendi kërkoi ndihmë nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së. Ndërsa zëdhënësi i “Amnesty International” Choi Jae-hoon tha se kishte dëgjuar për raste të vdekjeve nga uria nga koreano-veriorë të tjerë që ishin arratisur në Seul.

Kim ndan dhe sekretin e tij të mbijetesës.

“Para pandemisë, unë shisja artikuj të teknologjisë fshehurazi. Importoheshin në Kinë, por pasi u mbyll kufiri, dola dhe shita perime”, shton ai për BBC.

Duket sikur qeveritarët atje kanë krijuar bindjen në popull se “gjithçka i përket shtetit”, madje dhe oksigjeni.

“Ata janë si vampirë që të thithin gjakun. Krimi më i ndëshkueshëm është nëse ata kuptojnë se ti ke shkëmbyer informacion me botën jashtë. Nëse të kapin, të qëllojnë për vdekje ose të dërgojnë në një kamp pune.”

Kim ishte vetë ishte dëshmitar i ekzekutimit publik të një 22-vjeçari, i cili u qëllua sepse kishte dëgjuar 70 këngë nga Koreja e Jugut dhe kishte parë tre filma, të cilët i kishte ndarë me miqtë e tij . Joanna Hosaniak, një zëdhënëse e një organizate që lufton për të drejtat e njeriut në Korenë e Veriut, komentoi se asaj “nuk i bën aspak përshtypje” përshkrimi i këtij ekzekutimi, sepse ajo ka kryer qindra intervista që kanë thuajse të njëjtar rrëfime.

Megjithatë, pika e fundit për zotin Kim ishte vetëvrasja e një miku të tij, i cili për të mbledhur para të mjaftueshme për të marrë divorcin hyri në borxhe dhe më pas në një kamp pune të detyruar.

Kim dhe vëllai i tij, të cilët kishin vite që drejtonin ilegalisht një biznes ushqimesh deti, kishin planifikuar 7 muaj mënyrën se si do të arratiseshin.

Fakti që ata të dy jetonin në një fshat të vogël peshkimi pranë kufirit me Korenë e Jugut u dha atyre një dalje të mundshme, edhe pse jo të sigurt, nga deti. Kim tregon se iu afrua rojeve të kufirit dhe u shtir si një prej tyre, derisa u nxorri të gjitha informacionet për lëvizjet e tyre në zonë. Megjithatë më e rrezikuara, ishte gruaja e tij e cila po priste një fëmijë.

“I thashë, ti je nënë. A dëshiron ta rrisim fëmijën tonë në këtë ferr?”, përfundon Kim./tvklan.al

 

You may also like