Humb penallti, por realizon dy “perla”, Ernest Muçi protagonisti i madh ndaj Andorrës

by admin
Spread the love

Ernest Muçi ishte protagonist i madh i ndeshjes me Andorrën, me lojtarin e Legias së Varshavës që shënoi 2 gola fantastikë dhe gaboi një 11-metërsh për kombëtaren e 21-vjeçarëve në një fitore ku nuk munguan episodet.

Suksesi i dytë në grup për ekipin e Bushit, që bën detyrën ndaj Andorrës, duke marrë një fitore të pritshme. Kuqezinjtë dominuan përballjen në “Elbasan Arena” dhe që në minutat e para ishin shumë aktivë, teksa në të 3-tën Marku pati mundësinë e epërsisë, ndërsa në të 18-të Cara gaboi në mënyrë të pabesueshme, teksa nuk shfrytëzoi dot një aksion shumë të bukur të dyshes Muçi-Ndrecka.

Mundësinë më të mirë për Andorrën e pati Vales në të 13-tën, por për fatin e kuqezinjve. Në të 36-tën Shqipëria kaloi më në fund përpara me Muçin, që realizoi me një kryevepër nga goditja e dënimit, duke u konfirmuar vendimtar për kuqezinjtë.

Në fundin e fraksionit, sulmuesi i Legias mund t’i ishte gëzuar dhe golit të dytë personal, por u ndal nga portieri i Andorrës. Në pjesën e dytë, Shqipëria ishte sërish më këmbëngulëse dhe siç logjikshëm pritej, megjithatë shansin më të mirë deri në të 63-tën e patën miqtë, me Ubac që iu afrua një goli të jashtëzakonshëm nga 40-metra.

Në të 70-tën kuqezinjtë mund të kishin shënuar golin e qetësisë, por Muçi gaboi nga pika e bardhë pas penalltisë së fituar nga Dobra, duke kaluar për pasojë në fundin e ndeshjes dhe disa minuta paniku. Në të 90-tën ishte Asllani që për pak shënoi të dytin pas një goditjeje dënimi me dy pasime brenda në zone, ndërkohë që në të 92-tën Muçi veshi kostumin e protagonistit të madh me një tjetër perlë nga goditja e dënimit.

Një sukses i firmosur nga Muçi dhe 3 pikë për kuqezinjtë, që pas katër golave të pësuar në Çeki rikthehen te suksesi, duke patur dy fitore në 3 ndeshje, pavarësisht se të arritura ndaj ekipit të fundit në grup.

You may also like