HELSINKI, 16 nëntor /ATSH-DPA/ – Finlanda do të mbyllë katër nga tetë pikat e saj kufitare me Rusinë gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës për shkak të fluksit të migrantëve, njoftoi sot kryeministri, Antti Petteri Orpo.
Pas një rritje të flukseve të paligjshme në kufij, Helsinki akuzoi Moskën për lejimin e qëllimshëm të migrantëve për të hyrë në Finlandë në mënyrë të parregullt, në atë që sugjeroi se ishte një taktikë për të destabilizuar vendin fqinj.
“Sot qeveria mori vendimin për mbylljen e katër pikave kufitare në kufirin tokësor midis Finlandës dhe Rusisë”, u tha gazetarëve ministrja e Brendshme Mari Rantanen, ndërsa kryeministri Orpo akuzoi Rusinë për veprim “me keqdashje”.
Dje, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se i vinte thellësisht keq që Finlanda po shqyrtonte mbylljen e vendkalimeve.
Rusia dhe Finlanda ndajnë një kufi tokësor prej 1 340 kilometrash.
Marrëdhëniet midis dy vendeve janë tensionuar që kur Moska pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022. //a.i/