GAZË – Hamasi: Jemi duke analizuar propozimin e fundit izraelit për armëpushim

by admin
Spread the love

GAZË, 27 prill /ATSH-DPA/- Një zyrtar i lartë i Hamasit tha sot se grupi militant islamik po studion propozimin izraelit në lidhje me një armëpushim të mundshëm në Gaza, ndërsa afrohet sulmi i planifikuar tokësor në Rafah.

“Hamasi do ta shqyrtojë këtë propozim dhe do të japë një përgjigje”, tha Khalil al-Hayya, nënkryetari i krahut politik të grupit në Gazë, në një deklaratë të postuar në Telegram.

Ai tha se pala izraelite po i përgjigjej një propozimi që Hamasi i kishte paraqitur ndërmjetësuesve egjiptianë më 13 prill.

Negociatat që synojnë lirimin e pengjeve të mbajtura nga militantët në Rripin e Gazës dhe sigurimin e armëpushimit në territorin e shkatërruar palestinez janë bllokuar prej disa muajsh.

Por, përgatitjet e Izraelit për një ofensivë tokësore në shkallë të gjerë në Rafah – qyteti më jugor në Rripin e Gazës dhe bastioni i fundit i Hamasit në territor – thuhet se po ushtron presion mbi grupin.

Media amerikane Axios raportoi dje, duke cituar dy zyrtarë të lartë izraelitë, se Izraeli e kishte paralajmëruar Egjiptin se ky do të ishte “shansi i fundit” për të arritur një marrëveshje përpara se ushtria e tij të fillonte operacionet në Rafah.

Axios dhe media izraelite raportuan se Hamasi dhe Izraeli janë në mosmarrëveshje lidhur me numrin e pengjeve që mund të lirohen dhe se sa do të zgjasë armëpushimi.

Hamasi po kërkon një armëpushim të përhershëm, të cilin Izraeli e ka refuzuar. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like