Haxhiu, PSRK-së: Trajtoni me seriozitetin më të lartë rastet e krimeve të luftës

by admin
Spread the love

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që t’i trajtojë me seriozitet çështjet e krimeve të luftës. Ajo thotë se kanë fuqizuar kapacitetet në këtë institucion, ani pse, sipas saj, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk i ka përfunduar procedurat e rekrutimit.

Haxhiu thotë se janë shtuar katër prokurorë shtesë, gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy staf mbështetës për të ndihmuar prokurorët.

Përkundër që ende nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur për gjykim në mungesë, ministrja Haxhiu thotë se ky ligj ka nisur së zbatuari.

“Sa i përket gjykimit në mungesë ka hyrë në fuqi qysh para katër viteve. Sipas informacioneve që unë kam, tash së fundmi ka filluar që të ketë zbatim i njëjti. Mirëpo për më shumë informacione nuk mund të flas”, shprehet e para e Drejtësisë për Kosovapress.

Kjo mënyrë e gjykimit ndodh për herë të parë në Kosovë dhe mund të procedohet vetëm pasi të dërgohen pesë ftesa në shtetin përkatës e të jenë shpallur në kërkim për hetim në procedurë penale për së paku gjashtë muaj përpara në gazetën zyrtare.

Shefja e Drejtësisë shprehet se mbetet prioritet adresimi i krimeve të luftës, për çka thotë se kanë ndërmarrë disa veprime.

“Ne kemi fuqizuar kapacitetet në Prokurori Speciale. Fatkeqësisht Këshilli Prokurorial ende nuk i ka përfunduar procedurat e rekrutimit, por ne kemi shtuar edhe katër prokurorë shtesë, gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy staf mbështetës për t’i ndihmuar prokurorët për adresimin e këtyre krimeve. Në secilin takim që kam pasur me krerët e sistemit të drejtësisë, kam vënë në pah rëndësinë për adresimin serioz të krimeve të luftës. Sepse, siç jeni në dijeni ka pasur mosveprim, neglizhencë, diku edhe të qëllimshme të misioneve që kanë qenë të instaluar në Kosovë”, thotë Haxhiu.

Për hetimin e këtyre rasteve, Haxhiu thotë se duhet vullnet i hekurt dhe vigjilencë.

“Duhet një vullnet i hekurt, një vullnet më i madh për t’i adresuar seriozisht këto krime. Tani sa i përket ngritjes së aktakuzave, kjo është përgjegjësi e Prokurorisë Speciale, po të ishte në përgjegjësinë time, sigurisht që do të kisha përgjigje për këtë. Unë si ministre e Drejtësisë thërras që Prokuroria Speciale t’i trajtojë me seriozitetin më të lartë këto çështje. Për neve, sidomos gjatë këtyre muajve, është e dhimbshme se kudo që shkojmë kemi masakrat ndër më të rëndat”, shprehet Haxhiu.

Për më tepër, ajo thotë se synimet janë edhe për fuqizimin e Departamentit që adreson krimet e luftës brenda policisë.

Kujtojmë se institucionet e Kosovës, nga UNMIK-u dhe EULEX-i kanë trashëguar rreth 900 lëndë për krime e dy mijë të tjera për të zhdukurit.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

You may also like