Franca në krye të BE-së: ç’mendon Macron për Ballkanin

by admin
Spread the love

Në ditën e parë të vitit 2022, Franca mori nga Sllovenia presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, e cila do të shënohet nga fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale në prill dhe zgjedhjet parlamentare në qershor.

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ende nuk ka shpallur kandidaturën e tij për një mandat të dytë presidencial, por pritet ta bëjë së shpejti, po mbrohet nga akuzat e kundërshtarëve se do ta përdorë presidencën për qëllime parazgjedhore.

Argumenti i tij është se nuk ka zgjedhur kalendarin dhe rendin e presidencave të rradhës.

Për shkak të zgjedhjeve, shumica e ngjarjeve në Francë lidhur me presidencën do të zhvillohen në tre muajt e parë, në mënyrë që ato të mos përdoren për qëllime parazgjedhore, gjë që është e ndaluar me ligjin francez.

Franca, një nga gjashtë themeluesit e BE-së, ka presidencën e saj të 13-të dhe për herë të fundit e mbajti atë në gjysmën e dytë të 2008-ës.

Me presidencën franceze, fillon një treshe e re presidenciale, e përbërë nga Çekia, e cila do të kryesojë në gjysmën e dytë të vitit dhe Suedia, në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Treshja presidenciale u prezantua nga Traktati i Lisbonës për të siguruar vazhdimësinë e punës në Këshillin e BE-së.

Treshja vendos synime afatgjata dhe përgatit një program të përbashkët që identifikon temat dhe çështjet kryesore që do të trajtohen nga Këshilli gjatë 18 muajve të ardhshëm.

“Shërim, forcë, përkatësi” është slogani i zgjedhur nga Franca për udhëheqjen gjashtëmujore të Unionit.

Sovraniteti i Evropës është një formulë kyçe e presidencës franceze dhe të cilën Macron e ka përsëritur vazhdimisht që nga fjalimi i tij në Sorbonë në vitin 2017.

“Nëse do ta përmblidhja me një fjali qëllimin e kësaj presidence, do të thosha se ne duhet të kalojmë nga një Evropë bashkëpunimi brenda kufijve tanë në një Evropë të fuqishme në botë, plotësisht sovrane, e lirë të zgjedhë rrugën e saj dhe ta zotërojë fatin e vet”, tha ai në një konferencë për shtyp më 9 dhjetor, ku prezantoi prioritetet e presidencës.

Për Macron, një Evropë sovrane do të thotë, mbi të gjitha, aftësi për të menaxhuar kufijtë e saj.

Mbrojtja e kufijve është një kusht i domosdoshëm për sigurinë e evropianëve, për të përballuar sfidën e emigrantëve dhe për të shmangur situata të tilla si sulmi hibrid ndaj Bjellorusisë, i cili solli mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe i dërgoi në kufijtë e BE-së.

Prandaj, reforma “Shengen” është një nga prioritetet kryesore të Presidencës së ardhshme franceze.

Francezët duan që reforma e Shengenit dhe procesi i vendimmarrjes për anëtarësimin e Kroacisë aty të zhvillohen paralelisht, ndaj dhe duan ta përfundojnë këtë gjatë presidencës së tyre.

Ndër të tjera, francezët po bëjnë presion për krijimin e një organi të posaçëm të ministrave të brendshëm për të koordinuar menaxhimin e zonës Shengen, ngjashëm me Eurogrupin, një forum që bashkon ministrat e financave të eurozonës dhe koordinon menaxhimin e monedhës së përbashkët.

Në kuadër të mbrojtjes së kufijve të Evropës, Franca do të përpiqet të thyejë ngërçin e negociatave për një pakt të ri migracioni, i cili diskutohet pa sukses prej vitesh.

Një element tjetër i Evropës sovrane është politika e mbrojtjes.

Samiti i BE-së në mars pritet të miratojë një busull strategjike, një dokument me të cilin BE-ja dëshiron të rrisë autonominë strategjike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, aftësinë dhe gatishmërinë për të vepruar dhe të forcojë qëndrueshmërinë.

Macron thotë se BE-ja duhet të përcaktojë dhe të kryejë së bashku një analizë të kërcënimeve me të cilat përballet, se duhet të jetë më ambicioze në industrinë e mbrojtjes dhe të organizojë stërvitje të përbashkëta.

Sipas Macron, elementi i tretë kyç i një Evrope sovrane është stabiliteti dhe prosperiteti i fqinjësisë së afërt.

Në këtë kontekst, Macron njoftoi se në qershor do të organizohet një konferencë për Ballkanin Perëndimor, “që është më shumë se një fqinj, sepse është në zemër të Evropës”.

“Sot kemi një përgjegjësi të veçantë ndaj Ballkanit Perëndimor. Ne duhet të riangazhohemi atje, të investojmë, të nxisim integrimin ekonomik të rajonit, të inkurajojmë shkëmbimet mes njerëzve dhe të luftojmë ndërhyrjen, manipulimin që bëjnë që disa fuqi rajonale në të gjithë Ballkanin, të cilat duan të destabilizojnë Evropën”, tha Macron.

“Unë besoj se kjo punë, e cila është politike dhe ekonomike, përfaqëson një axhendë të vërtetë sovraniste për Evropën tonë, sepse ne nuk do të mund të ndërtojmë një Evropë paqësore në 50 vitet e ardhshme nëse e lëmë Ballkanin Perëndimor aty ku është sot.” tha ai.

Kontinenti afrikan është fqinji i dytë i menjëhershëm që do të jetë një prioritet i presidencës franceze.

Një samit i vendeve anëtare të BE-së dhe institucioneve me Bashkimin Afrikan do të mbahet në shkurt në Bruksel, me qëllim që të vendosen baza të reja për marrëdhëniet me kontinentin.

Një nga prioritetet kryesore të Francës do të jetë gjetja e një modeli të ri evropian të rritjes ekonomike, i cili do të përcaktojë se si do të jetë Europa në fund të kësaj dekade.

Kjo duhet të nënkuptojë aftësinë e BE-së për të prodhuar, për të krijuar pasuri dhe inovacione të avancuara, për të krijuar vende të reja pune dhe sektorë të rinj industrialë, si hidrogjeni, bateritë, gjysmëpërçuesit.

Një samit i jashtëzakonshëm do të organizohet në Francë në mars, kushtuar ekonomisë dhe përcaktimit të një modeli të ri të rritjes ekonomike për këtë dekadë.

Macron njoftoi se presidenca franceze do të trajtojë edhe çështjen e vlerave, e cila përfshin sundimin e ligjit.

You may also like