FOKUS – Palestinezët largohen nga kaosi dhe paniku në Rafah pas marrjes së kontrollit të kalimit kufitar nga Izraeli

by admin
Spread the love

TIRANË, 9 maj /ATSH/- Dhjetëra mijëra palestinezë të zhvendosur dhe të rraskapitur kanë paketuar tendat e tyre dhe sendet e tjera nga Rafahu, duke tërhequr zvarrë familjet në një eksod të ri, sipas AP.

Spitali kryesor është mbyllur, duke lënë pa kujdes shëndetësor njerëzit që vuajnë nga kequshqyerja, sëmundjet dhe plagët.

Punonjësit e ndihmës janë përpjekur të ndihmojnë një popullsi të dëshpëruar pas shtatë muajsh lufte, edhe pse në mungesë të karburantit dhe furnizimeve të ndërprera.

Qyteti i mbipopulluar i Gazës është futur në panik dhe kaos, pas marrjes nën kontroll të pikës kufitare të afërt me Egjiptin nga forcat izraelite, ndërsa pushtimi i tij i mundshëm në shkallë të plotë i afrohet Rafahut.

Familjet e çrrënjosura disa herë nga lufta nuk janë të sigurta se ku të shkojnë: në qytetin gjysmë të shkatërruar të Khan Younis, apo në një “zonë humanitare” të shpallur nga Izraeli në Gazë, tashmë e mbushur me njerëz me pak ujë ose furnizime?

Tre ditët e fundit, turma njerëzish më këmbë ose me automjete kanë bllokuar rrugët në Rafah në një evakuim ‘të hutuar’, me sendet e tyre të grumbulluara në makina, kamionë dhe karroca.

Rafah kishte 250 000 banorë para luftës. Popullsia e saj ishte rritur në rreth 1,4 milion pasi banorë nga e gjithë Gaza ikën atje.

Pothuajse çdo hapësirë boshe ishte e mbuluar me kampe çadrash dhe familjet u grumbulluan në shkolla ose banesat me të afërta.

Ashtu si pjesa tjetër e popullsisë së Gazës, ata kanë qenë kryesisht të varur nga grupet e ndihmës.

Izraeli njoftoi të hënën urdhërin e evakuimit në pjesët lindore të qytetit, ku jetonin rreth 100 000 banorë.

Më pas, Izraeli dërgoi tanke për të marrë kontrollin e vendkalimin afër Rafahut me Egjiptin, duke e mbyllur atë.

Mbetet e pasigurt nëse Izraeli do të nisë një pushtim të gjithanshëm të Rafahut ndërsa përpjekjet ndërkombëtare vazhdojnë për një armëpushim.

Izraeli tha se sulmi në Rafah është vendimtar për qëllimin e tij për të shkatërruar Hamasin pas sulmit të grupit militant më 7 tetor në Izraelin jugor që shkaktoi vdekjen e 1200 personave dhe 250 pengje në Gazë.

SHBA-ja, e cila ka kundërshtuar pushtimin në Rafah, tha se Izraeli nuk ka ofruar një plan të besueshëm për evakuimin dhe mbrojtjen e civilëve.

Lufta ka vrarë mbi 34 800 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës, dhe ka dëbuar rreth 80% të popullsisë së Gazës prej 2,3 milionë palestinezësh nga shtëpitë e tyre.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like