FOKUS – Rritet numri i medieve të huaja që pezullojnë aktivitetin në Rusi

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 6 mars /ATSH-DPA/ – Disa transmetues ndërkombëtarë dhe media kanë pezulluar operacionet në Rusi, pas një vendimi të parlamentit rus për të kufizuar mbulimin e lajmeve të pushtimit të vendit në Ukrainë.

Transmetuesit publikë gjermanë ARD dhe ZDF njoftuan se për momentin po pezullojnë mbulimin nga studiot e tyre në Moskë, por do të “vazhdojnë të informojnë publikun për ngjarjet në Rusi dhe Ukrainë nga vendet e tyre të tjera”.

Një numër i organizatave të medias perëndimore, duke përfshirë BBC dhe Bloomberg, kanë ndaluar operacionet e tyre në Rusi në vazhdën e goditjes së Moskës ndaj medieve të huaja.

CNN do të ndalojë transmetimin në Rusi, ndërkohë që ne vazhdojmë të vlerësojmë situatën dhe hapat tanë të ardhshëm duke ecur përpara”, tha transmetuesi amerikan për DPA.

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një ligj të ri në fuqi të premten që do të thotë gjoba të rënda dhe deri në 15 vjet burgim për përhapjen e informacionit të rremë në lidhje me forcat e armatosura të vendit.

Dy nga mediet më të rëndësishme të mbetura të pavarura ruse – stacioni i njohur i radios ”Ekho Moskvy” dhe kanali online i lajmeve ‘‘Dozhd” – u mbyllën të enjten si rezultat i goditjes.

Ligji dënon në mënyrë specifike shpërndarjen e informacionit të supozuar të rremë për ushtarët rusë, diskreditimin e forcave të armatosura ruse si dhe thirrjet për sanksione ndaj Rusisë.

Moska zyrtarisht e quan pushtimin e Ukrainës një “operacion ushtarak” dhe tashmë i ka ndaluar mediat të përdorin terma si “sulm” ose “pushtim”.

BBC njoftoi të premten planet për të ndalur punën e gazetarëve të saj në Rusi. Të dielën, një zëdhënës i transmetuesit konfirmoi se programi i tij ndërkombëtar i BBC World News, i cili transmetohet në shumë vende jashtë Britanisë, është bllokuar në Rusi që nga e shtuna.

Transmetuesi i radios ”Evropa e Lirë”, i financuar nga SHBA-ja tha të shtunën se do të pezullonte operacionet në Rusi.

Transmetuesi përmendi procedurat e falimentimit të nisura nga autoritetet tatimore ruse kundër degës ruse të REL, rritjen e presionit të policisë ndaj gazetarëve të saj dhe ligjin e ri të medias në Rusi si arsye.

“Ky nuk është një vendim që radio ‘Evropa’ e Lirë e ka marrë vetë, por është një vendim që na është detyruar nga sulmi i regjimit të Putinit ndaj së vërtetës”, tha presidenti i saj, Jamie Fly në një deklaratë për shtyp.

REL ka një prani fizike në Rusi që nga viti 1991.

“Pas viteve të kërcënimeve, frikësimeve dhe ngacmimeve të gazetarëve tanë, Kremlini, i dëshpëruar për të parandaluar qytetarët rusë që të dinë të vërtetën për luftën e tij të paligjshme në Ukrainë, tani po i cilëson gazetarët e ndershëm si tradhtarë të shtetit rus”, tha Fly.

Media të tjera evropiane, duke përfshirë agjencinë shtetërore të lajmeve të Spanjës EFE, gazetën ”El Pais” dhe transmetuesin RTVE, si dhe transmetuesin italian RAI, kanë pezulluar gjithashtu operacionet në Rusi./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like