FOKUS – Republika Çeke shpall Rusinë kërcënimin kryesor të vendit

by admin
Spread the love

PRAGË, 21 mars /ATSH-DPA/ – Parlamenti çek e ka shpallur Rusinë si kërcënimin më të madh të sigurisë për vendin, në një rezolutë të miratuar dje në mbrëmje vonë.

Teksti thekson se “regjimi terrorist në Rusi” po kërkon të shtrijë sferën e tij të ndikimit në Ukrainë dhe vende të tjera evropiane dhe po kryen krime lufte për ta arritur këtë.

”Prandaj është me interes vendimtar që të vazhdojë të ndihmohet Ukraina në luftën e saj kundër agresionit rus”, thuhet në rezolutë.

”Ndërprerja e furnizimit me material ushtarak, nga ana tjetër, do të çonte në pushtimin dhe shkatërrimin e Ukrainës nga regjimi terrorist rus”, vijon ajo.

Republika Çeke – një anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian – i ka siguruar Kievit deri më tani tanke luftarake, helikopterë luftarakë dhe raketahedhës të shumtë.

Rezoluta u mbështet nga 84 ligjvënës nga koalicioni liberal-konservator i kryeministrit Petr Fiala.

Pati 17 vota kundër dhe 42 abstenime.

Praga ka nisur së fundmi një iniciativë për të blerë rreth 800 000 predha artilerie për Ukrainën nga vende jashtë BE-së.

Gjermania, Franca dhe Kanadaja duan të kontribuojnë financiarisht për këtë./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like