FOKUS – Parlamenti hungarez miraton anëtarësimin e Suedisë në NATO ​

by admin
Spread the love

BUDAPEST, 26 shkurt /ATSH-DPA/ – Duke i hapur rrugën përfundimisht anëtarësimit të Stokholmit në Aleancën Atlantike, parlamenti hungarez miratoi me shumicë dërrmuese hyrjen e Suedisë në NATO.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson e përshëndeti si “një ditë historike” pas ratifikimit hungarez të anëtarësimit të Suedisë në NATO, duke i hapur rrugën hyrjes së saj në Aleancën Atlantike.

“Sot është një ditë historike”, shkroi ai në X.

”Suedia është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj në drejtim të sigurisë euroatlantike, thuajse dy vjet pas fillimit të procesit të anëtarësimit”, shtoi ai.

​”Sot ne do të mbështesim anëtarësimin e Suedisë në NATO”, theksoi kryeministri hungarez, Victor Orban para fillimit të seancës plenare.

Në të njëjtën kohë, Orban theksoi se ai nuk sheh “asnjë zgjidhje ushtarake për konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, por vetëm një fund të negociuar të luftës”.

Hungaria është vendi i fundit që i reziston NATO-s pasi pranimi i Suedisë në aleancë u miratua nga të gjithë anëtarët e tjerë. Aprovimi unanim i grupit, i cili aktualisht përfshin 31 vende, kërkohet që një anëtar i ri të bashkohet.

Orban theksoi se ”është e rëndësishme të zgjidhen mosmarrëveshjet dypalëshe përpara se të ratifikohet anëtarësimi i Suedisë në NATO”.

”Përpjekjet e jashtme për të ndërhyrë në këto mosmarrëveshje nuk kanë qenë të dobishme. Hungaria është një shtet sovran dhe nuk toleron ndërhyrje të jashtme”, deklaroi ai.

Orban theksoi se marrëveshjet e bashkëpunimit ushtarak u përfunduan “me përfitim reciprok”.

Referenca ka të bëjë me marrëveshjet e nënshkruara të premten gjatë vizitës së Kristersson për blerjen dhe mirëmbajtjen e avionëve luftarakë suedezë ”Jas 39 Gripen”./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like