Festivali i çmendur i vrapimit me demat hapet në San Fermin të Spanjës (fotot)

by admin
Spread the love

Turma të ngjeshura vendasish dhe turistësh kishin mbushur sot sheshin para bashkisë së Pamplona në Spanjë, duke valëvitur copat e kuqe për hapjen e festivalit të demave të San Fermin.

Teksa turmat ngjesheshin në shesh, mes dashamirësve, organizatorëve dhe policëve që tentonin të mbanin rendin, entuziastja vendase Mila e quante festivalin “festa më e bukur në botë”.

“Ne jemi të gjithë të barabartë këtu në San Fermin, mund të duket si diçka e çmendur por nuk mund ta shpjegoj, duhet bërë eksperienca”, tha e reja.

Roy Van der Loos, turist nga Holanda tha për rrjetin AFP se pëlqen këngët e brohorimet e tufave të ngjeshura të njerëzve.

“Është shumë bukur, sidomos kur të gjithë kërcënonin e këndonin dhe të tjerë hidhnin Sangira mes turmës”, tha ai duke iu referuar pijes tradicionale alkoolike të eventit.

Amaia, turiste nga Buñuel tha se pëlqente atmosferën e vllazërisë së eventit.

“Njerëzit e përjetojnë në mënyra të ndryshme, por ngjitur me ty mund të kesh njerëz nga Korea, nga Zelanda, nga Toledo, është diçka unike, një sens i pabesueshëm uniteti mes njerëzve”.

Festivali i San Fermín është një festë një-javore me rrënjë historike që mbahet çdo vit në qytetin e Pamplona, ​​Navarra, në Spanjën veriore.

Festimet fillojnë në mesditën e 6 korrikut dhe vazhdojnë deri në mesnatën e 14 korrikut. Festimet nisin me fishekzjarrë dhe në fund këndohet kënga popullore Pobre de mí.

Përveç vrapimit të demave festivali përfshin shumë evente tradicionale e folklorike. Vendasit e quajnë atë Sanfermines pasi mbahet në nder të shenjtorit Saint Fermin, dikur padron i Navarre.