Endrit Braimllari: Momenti për të kthyer llogaridhënien, 80 mln euro për pagat e administrates, bashkia është kthyer një zyre pune për militantët partiakë

by admin
Spread the love

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, akuzoi sot kryebashkiakun e Tiranës se e ka kthyer Bashkinë jo vetëm në lavatriçe të pastrimit të parave, por dhe në një strukturë gjobvënie ku grabiten qytetarët.

Braimllari tha në një deklaratë për media, se bashkia ka hartuar për 2023 një megabuxhet me plot 250 milionë euro fonde, ku 1/3 e tij ose 80 milionë euro shkon vetëm për pagat e administratës së fryrë të bashkisë, e cila është kthyer në një zyre pune për militantët partiak dhe patronazhistët për t’i përdorur në fushatën e radhës.

Por, sipas tij, në këtë buxhet bashkia nuk parashikon asgjë për të ulur nivelin e ndotjes që po merr çdo ditë jetë njerëzish.

“Por mbi të gjitha në këtë buxhet Bashkia e Tiranës nuk parashikon asgjë për të luftuar varfërinë dhe për të nxitur punësimin.

Ky është buxheti elektoral dhe personal i Erion Velisë, ku çdo gjë është vendosur në funksion të zgjedhjeve të ardhshme vendore nga kryetari në ikje i bashkisë”, u shpreh Braimllari.

Deklarata e plotë e nënkryetarit të Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari:

“Jemi në këtë komunikim me mediat për të denoncuar për të disatën herë shpërdorimin dhe keqmenaxhimin e fondeve publike nga Bashkia e Tiranës. Erion Veliaj e ka kthyer Bashkinë e Tiranës, jo vetëm në lavatriçe të pastrimit të parave, por dhe në një strukturë gjobvënie ku grabiten qytetarët.

Bashkia Tiranës, pas 8 vitesh administrim nga Erion Veliaj ende nuk siguron ujin e pijshëm për banorët e kryeqytetit me gjithë rritjen stratosferike të çmimit të ujit dhe premtimin që për 4 vite Tirana do të kishte 24 orë ujë. Po ashtu, problematika me trafikun dhe infrastrukturën në Tiranë vijon të mbetet problem shqetësues. Përtej disa investimeve, që Erion Veliaj i përdor për fasadë, shumica e lagjeve dhe rrugicave në qendër por sidomos në periferi të Tiranës janë në mëshirë të fatit.

Tirana falë Erion Velisë është bërë mbytëse nga kullat pa kriter dhe betonizimi, i cili ishte zotimi i Erion Veliajt në 2015 që nuk do të lejonte ndërtime të reja shumëkatëshe në Tiranë. Në vitin 2019, Banka Botërore konstatonte se gati 10 për qind e vdekjeve në Shqipëri ndodhin për shkak të ndotjes së mjedisit. Natyrisht që në vendin e parë ishte Tirana, ku përqindja e vdekshmërisë për shkak të ndotjes ishte edhe më e madhe. Prej atëherë situata është përkeqësuar, teksa smogu i shkaktuar nga makinat dhe kantieret e ndërtimit të kullave është kthyer në një problem për të gjithë banorët. Bashkia e Erion Veliajt ka hartuar për 2023 një megabuxhet me plot 250 milionë euro fonde.

1/3 e tij ose 80 milionë euro shkon vetëm për pagat e administratës së fryrë të bashkisë, e cila është kthyer në një zyre pune për militantët partiak dhe patronazhistët për t’i përdorur në fushatën e radhës. Por në këtë buxhet bashkia nuk parashikon asgjë për të ulur nivelin e ndotjes që po merr çdo ditë jetë njerëzish.

Por mbi të gjitha në këtë buxhet Bashkia e Tiranës nuk parashikon asgjë për të luftuar varfërinë dhe për të nxitur punësimin. Ky është buxheti elektoral dhe personal i Erion Velisë, ku çdo gjë është vendosur në funksion të zgjedhjeve të ardhshme vendore nga kryetari në ikje i bashkisë.

Ndaj është momenti që më mbështetjen e qytetarëve të kthejmë llogaridhënien në Bashkinë e Tiranës, të kthejmë Këshillin Bashkiak në Parlamentin e qytetit, ku përcillet zëri i tyre, ku rritet transparenca dhe hapet bashkia për të gjithë banorët e Tiranës.

Faleminderit!”, shprehet ai.

You may also like