Edhe BE-ja shpreh zhgënjimin me vendimim e Kurtit për targat – Shqip

by admin
Spread the love

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Evropian është shprehur i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës për vendimin që të shkallëzojë sanksionet ndaj atyre që nuk i kthejnë targat ilegale në RKS, duke refuzuar shtyrjen e tij, siç kërkuan partnerët ndërkombëtarë.

Bashkimi Evropian nëpërmjet një njoftim për media kanë komentuar vendimin më të fundit të qeverisë së Kosovës lidhur me targat.

Në njoftim thuhet se Kosova ka të drejtë të heq gradualisht targat ilegale KM, duke i riregjistruar në legale.

“Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në Dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se vendimi është një hap në drejtimin e duhet, por që nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët.

“Marrëveshja përkatëse e vitit 2016 parashikonte një proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur”, vazhdon njoftimi.

BE bën thirrje që dyja palëve kosovare dhe asaj serbe që ta kenë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo retorikë që mund të rrezikojë stabilitetin në terren, veçanërisht në veri të Kosovës.

Gjithashtu BE shprehu përkrahjen saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.

BE-ja do të vazhdojë, së bashku me partnerët e saj, të angazhohet si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Ne presim që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për të gjetur një zgjidhje pa vonesa të mëtejshme, në përputhje të plotë me Marrëveshjet e Dialogut.

Më herët, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur zhgënjim për mosrespektimin e kërkesës së tyre dhe shteteve të tjera të QUINT-it për shtyrjen e afatit të vendimit për targat.

Vendimi i Qeverisë për targat parashihet të zgjasë deri më 21 prill, por do të jetë i ndarë në disa faza.

Për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të jetë “masa e qortimit” për serbët që nuk konvertojnë targat në RKS, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj, nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill, nuk do të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës.

You may also like