E ka bërë 2 herë, Alegri specialist i përmbysjeve. Në pozicione ndjekëse, trajneri i Juves është i frikshëm

by admin
Spread the love

Të thuash se Masimiliano Alegri i takon së shkuarës është një nënvlerësim. Trajneri i Juventusit po ndjek Interin e Simone Inzagit, me vetëm dy pikë diferencë pasi mposhti me përmbysje Salernitanën. Në të kaluarën, Maks ka luajtur edhe rolin e ndjekësit dhe atij në arrati, si te Milani ashtu edhe te Juventusi. Ai ka përjetuar tashmë ndjesinë dhe konsumimin e një gare kampionati, duke dalë shpeshherë edhe fitues.

Një pikë avantazhi në krahasim me vetë Inzagin, i cili nuk u mbështet dot tek vëllai i tij Filipo (trajneri i Salernitanës) për të ndalur bardhezinjtë, edhe pse ishte shumë pranë. Simone, në fakt, e humbi sprintin për titullin me Milanin në 2021-22, ndërsa te Lacio u ngadalësua ndjeshëm në 2019-2020 pas ndërprerjes për shkak të urgjencës nga Covid-19. Nga ana tjetër, Alegri dështoi vetëm në sezonin 2011-12, si trajner i kuqezinjve, në rivalitetin kokë më kokë me Juventusin e Kontes. Të gjashtë herët e tjera në të cilat ai u paraqit në gjysmë të rrugës mes kandidatëve për triumfin përfundimtar, ai nuk gaboi kurrë.

NDJEKJA –

Maks, ende e shmang përdorimin e fjalës “Scudetto”, por sa më shumë kalojnë javët, aq më pak i bind veshët që dëgjojnë. Janë vetë lojtarët e tij që e “mohojnë” në deklaratat para apo pas ndeshjes, nga Rabio te Mekeni, duke kaluar nga Gati. Juve mban një profil të ulët, por beson në të. Edhe kjo është një gjë e mirë, duke pasur parasysh se si po shkojnë gjërat. Sigurisht, janë gjithmonë ato dy pikë për t’u rikuperuar nga Interi. Por Alegri, siç ishte parashikuar, e njeh mirë fjalën përmbysje. Në 2015-16, në sezonin e tij të 2-të te Juve, ai ishte madje 11 pikë larg kreut, përpara se të regjistronte një ecuri të jashtëzakonshme rezultatesh. Ai “ndezi” turbon pas humbjes ndaj Sasuolos në javën e 10-të, e cila i zbriti bardhezinjtë në vendin e 12- të, me vetëm 12 pikë, ndërsa Roma ishte tashmë në 23.

Por edhe Juventusi i sotëm ka ndryshuar ritëm pas humbjes së vetme sezonale ndaj skuadrës së Bajramit. Por nëse në 2015- ën ishte e nevojshme të ngadalësohej për të kaluar një nga një të gjitha skuadrat përpara, deri në atë pikë sa të kalonte Napolin dhe të shkëputej me lehtësi, këtë herë Maksi është vendosur në rolin e ndjekësit direkt për t’i bërë ballë ritmit të jashtëzakonshëm të Interit dhe të mbetet në garën për titull. Por kur të gjithë prisnin një arratisje të zikaltërve, Juve është aty, gati për të luajtur shanset e saj “deri në maj”, ashtu siç ka thënë vetë Alegri.

ANALOGJITË DHE NDRYSHIMET –

Duhet thënë se ato skuadra përbëheshin nga kampionë, të cilët ishin mësuar të festonin kampionate dhe kupa. Megjithatë, sot Juve ka shumë të rinj, në kërkim të trofeut të parë të karrierës së tyre. Dallimi, megjithatë, qëndron edhe tek uria dhe dëshira për hakmarrje pas problemeve të sezonit të shkuar (penalizimi dhe përjashtimi nga Europa). Ishte një ndjesi që iu përcoll lojtarëve nga klubi dhe nga vetë Alegri. Dhe nëse disa interpretuesve u mungon pak përvoja, pas tij është Maks, i cili e ka eksperiencën për të tjerët. Asnjë nga trajnerët aktualisht aktivë në Itali nuk mund të flasë për titullin me më shumë bindje sesa trajneri livornez. Dhe durim, nëse për pak kohë, Alegri do të vazhdojë ta konsiderojë këtë fjalë një tabu.

KOKË MË KOKË –

Dhe duke folur për duelet emocionuese, si mund të harrojmë atë me Napolin e Mauricio Sarrit, në 2017-18? Në javën e 17-të, të kaltrit ishin përpara, duke parakaluar Interin, por në javën e 27-të, Juventusi i Maksit i kaloi ata dhe më pas nuk hoqi dorë nga avantazhi, pavarësisht humbjes në përballjen direkte që vuri gjithçka në pikëpyetje. Bardhezinjtë, u gjendën në javën e 34-ët me vetëm një pikë avantazh, por fitorja emocionuese në “San Siro” kundër Interit dhe humbja e Napolit të nesërmen në Firence vendosën përfundimisht garën. Alegri fitoi në një sprint final, që Torino do të ishte e lumtur t’a shihte sërish pas disa muajsh, e kompletuar me një festë në sheshin “San Carlo”.

PARA

Përgatiti: ANDROKLI DRALO- PANORAMASPORT.AL

You may also like