Dy trajnerë të larguar dhe shumë surpriza çfarë solli java e 13-të e “Abissnet Superiore”

by admin
Spread the love

Java e 13-të e “Abissnet Superiore” ka sjellë shumë emocione në Oversport dhe Tibo, por nuk kanë munguar as surprizat dhe largimet e trajnerëve. Nuk do të jenë më në krye të pankinave të tyre Ekneleid Dobi dhe Emiliano Çela të cilët dhanë dorëheqjen pas humbjeve respektive. Kukësi u mposht nga Teuta me rezultatin minimal 1-0, ndërsa Kastrioti u shpërfytyrua nga Tirana me rezultatin 4-0.

Edi Martini ndërkohë e nis me këmbën e duhur në aventurën e tij të katërt me Teutën duke marrë tre pikë mjaft të rëndësishme. Sfida më drithëruese e kësaj jave ka qenë padyshim ajo midis Partizanit dhe Erzenit e cila përfundoi 3-3, me shijakasit që barazuan “in extremis” me dy gola në kohën shtesë.

Partizani humb kështu dy pikë me vlerë dhe lejon Tiranën që të shkoj në +2 në krye të tabelës së klasifikimit. Edhe Egnatia ka shtangur Vllazninë në “Loro Boriçi” duke fituar 1-0 dhe ngjitet në vendin e tretë.

Me fitore e ka nisur aventurën e tij edhe Gentjan Mezani në krye të stolit të Laçi duke mposhtur Bylisin. Në kampin tjetër thellohet më shumë kriza dhe shkon në 7 numri i ndeshjeve radhazi pa fituar në kampionat. Kështu pas javës së 13-të, Tirana udhëheq në krye me 25 pikë, e ndjekur nga Partizani me 23 dhe Egnatia e Erzeni me nga 21 pikë. Ngushtohen edhe diferencat në fundin e tabelës ku Kukësi e Bylis mbajnë vendin e 8 dhe 9 me nga 12 pikë, ndërsa Teuta e vendit të fundit ka një pikë më pak. /oversport.tv

You may also like