Champions League/ Bayerni mposht Interin, Napoli pëson humbjen e parë! Tottenhami në fazën tjetër  

by admin
Spread the love

Kanë përfunduar edhe 6 sfidat e mbrëmjes së sotme në Champions League ku u ndanë edhe verdiket finale për dy grupe të tjera. Bayerni mposhti në supersfidën e mbrëmjes Interin në “Allianz Arena” me rezultatin e pastër 2-0.

Në një sfidë të dominuar totalisht prej bavarezëve, ishin golat e Pavard dhe Choupo-Moting ata që vulosën tre pikët e Bayernit. Kështu në grupin C, Bayerni e mbyll në kuotën e 18 pikëve, i ndjekur nga Interi në vendin e dytë me 10.

Në të njëjtin grup Barcelona mposhti me poker 4-2 Viktoria Plzen dhe mban vendin e tretë me 7 pikë, që të çon në Europa League. Plzen ndërkohë e mbyll në vendin e fundit pa arritur dot të grumbullojë asnjë pikë. Verdiktet e këtij grupi ishin vendosur matematikisht që një javë më parë.

Në Grupin A, Napoli pëson humbjen e parë sezonale në Anfield me rezultatin 2-0. Takimi u vendos nga golat e Mohamed Salah dhe Nunez, por pa ndryshuar dot fatet e këtij grupi. Napoli e mbyll në vendin e parë me 15 pikë, po aq sa Liverpooli, por me një golavarazh më të mirë.  Në të njëjtin grup Ajax mposht Rangers me rezultatin 3-1. Holandezët e mbyllin në vend të tretë dhe shkojnë në Europa League, ndërsa Rangers duhet t’i thotë lamtumirë Europës.

Në grupin D, Tottenhami vuan, por nuk gabon dhe mposht Marseille me rezultatin e ngushtë 2-1. Të besuarit e Antonio Contes fitojnë në frymën e fundit dhe marrin kryesimin e Grupit duke kaluar në fazën tjetër si vendi  parë. Lenglet dhe Hojbjerg i dhanë fitoren londinezëve, ndërsa për Marseille realizoi Mbemba.

Në vend të dytë e mbyll Eintrachti i Frankfurtit që mposht në Lizbonë me përmbysje Sportingun në shifrat 2-1. Kështu, më tej kalojnë Tottenham dhe Eintracht Frankfurt, ndërsa në Europa League shkon Sportingu. Marseille e mbyll në vendin e fundit. /oversport.tv

Foto: Inter, Twitter

You may also like