BRUKSEL, 15 nëntor /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian ka propozuar paketën e 12-të të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë lidhur me pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës, tha sot Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm.
Propozimi përfshin sanksionimin e më shumë se 120 individëve dhe subjekteve të tjera për rolin e tyre në minimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Ai përfshin gjithashtu ndalime të reja të importit dhe eksportit, si dhe masa për të shtrënguar kufirin e çmimit të naftës dhe për të kundërshtuar anashkalimin e sanksioneve të BE-së.
Propozimet për listimet përfshijnë aktorë nga ushtria ruse, sektorët e mbrojtjes dhe IT, si dhe operatorë të tjerë kryesorë ekonomikë.
Përfaqësuesit e shteteve të Bashkimit Evropian janë duke vlerësuar paketën, e cila duhet të zbatohet deri në fund të vitit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen njoftoi se do të kishte një raund të ri masash ndëshkuese ekonomike gjatë vizitës në Kiev, në fillim të muajit.
Vendet e Bashkimit Evropian do të negociojnë detajet e paketës së fundit nga komisioni.
BE-ja duhet të miratojë unanimisht sanksionet e reja përpara se të hyjnë në fuqi.
Një propozim për të kufizuar tregtinë e diamanteve nga Rusia është përfshirë gjithashtu në paketën e sanksioneve. //a.i/