Bërnabiç shpall fitoren e Partisë Përparimtare Serbe – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, anëtare e Partisë Përparimtare Serbe – e presidentit aktual, Aleksandër Vuçiç ka thënë se rezultatet e para në 50 për qind të vendvotimeve tregojnë se partia ka fituar 47.1 për qind të votave.

Sipas këtyre parashikimeve, sipas saj, koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” ka fituar 23 për qind të votave dhe Partia Socialiste e Serbisë, 6.7 për qind të votave.

“Për Beogradin kanë nisur të arrijnë rezultatet e para”, ka thënë ajo.

Bërnabiç i ka hedhur poshtë deklaratat e mediave, opozitës dhe organizatave joqeveritare për parregullsi në zgjedhje, duke i cilësuar “gënjeshtra brutale”.

Sjellim në vëmendje se Serbia ka mbajtur sot zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore. Të drejtë vote kanë pasur rreth 6.5 milionë banorë. Qendrat e votimit kanë qenë të hapura prej orës 07:00 deri në orën 20:00, përveç rasteve ku ka pasur radhë të votuesve duke pritur në qendrat e votimit.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Serbisë, Vlladimir Dimitrijeviç, ka thënë se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë – gjithsej 8.273. Fillimisht do të numërohen votat për Parlament, më pas për krahina dhe ato lokale./REL

You may also like