BERLIN – Scholz: Regjimi i Putinit vrau Navalny

by admin
Spread the love

BERLIN, 26 shkurt /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka fajësuar presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen e politikanit opozitar, Alexei Navalny.

“Ashtu si gjithë të tjerët, edhe unë supozoj se ishte regjimi që e vrau atë”, tha sot Scholz në konferencën e kryeredaktorëve të DPA-së, në Berlin.

“Rusia është një diktaturë. Vdekja e tij tani është pasojë e një diktature”, shtoi ai.

“Navalny vdiq më 16 shkurt në kampin e burgut me emrin jozyrtar “Ujku Polar” në rajonin e Arktikut siberian të Yamal”, thanë autoritetet ruse.

Rrethanat e vdekjes së tij mbeten ende të paqarta.

Disidenti kryesor i Rusisë, i dobësuar nga një sulm me helm dhe izolimi i përsëritur në kamp, thuhet se është rrëzuar gjatë stërvitjes në oborrin e akullt të burgut dhe ka vdekur pavarësisht përpjekjeve për ta ringjallur.

Sipas ekipit të Navalny, certifikata e vdekjes përmend shkaqe “natyrore”.

“Është e vështirë të thuhet nëse vdekja e Navalny do të dobësojë apo forcojë opozitën”, tha Scholz.

“Në çdo rast, është e qartë se të gjithë ata që janë opozitarë kanë nevojë për shumë guxim”, theksoi kancelari gjerman.

“Situata tani është edhe më e rrezikshme sesa gjatë vizitës së tij të fundit në Moskë”, tha ai.

“Në të njëjtën kohë, ne mund të shohim se presidenti rus dhe të gjithë ata që e mbështesin atë politikisht janë shumë të frikësuar. Kjo shihet nga fakti se i vetmi kandidat presidencial i mbështetur nga opozita është përjashtuar nga votimi”, tha ai. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like