BEOGRAD – Stoltenberg: Sulmet në veri të Kosovës janë të papranueshme

by admin
Spread the love

BEOGRAD, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në Beograd, ka diskutuar tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe rëndësinë e misionit paqeruajtës të KFOR-it me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

“Për dy dekada, KFOR-i ka garantuar një mjedis të sigurt në Kosovë për të gjitha komunitetet. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. Në Maj, forcat tona të KFOR-it u sulmuan, 93 prej tyre u plagosën, disa pësuan lëndime që ndryshojnë jetën. Në shtator, ne pamë një shpërthim tjetër dhune në Kosovë dhe kjo është e papranueshme. Ata që e bënë këtë duhet të dalin para drejtësisë. Ne vërtet e mirëpresim faktin që Serbia është e gatshme të bashkëpunojë në këto përpjekje”, tha Stoltenberg.

Ai kujtoi gjithashtu se aleanca e NATO-s dërgoi trupa shtesë në Kosovë pas dhunës.

“Pas kësaj dhune, NATO vendosi një mijë ushtarë shtesë dhe armë të rënda në Kosovë. Ky ishte përforcimi më i fuqishëm dhe më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në dekadën e kaluar dhe tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen dhe mirëpret koordinimin e ngushtë mes ushtrisë serbe dhe KFOR-it”, tha Stoltenberg.

Ai theksoi se të gjitha palët duhet të ulin tensionet dhe të përmbahen nga përshkallëzimi i veprimeve.

“Siç i thashë presidentit Vuçiç, grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe pranë vijës kufitare nuk do ta ndihmonte situatën dhe unë vërtet e mirëpres dhe mbështes formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, si çelës për normalizimin e marrëdhënieve. Ftoj Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen në dialog nën patronazhin e Bashkimit Evropian. Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të përhershëm”, tha kreu i NATO-s.

Ai theksoi se gjatë takimit është biseduar edhe për mundësinë e rifillimit të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Serbinë, si dhe për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

Kreu i NATO-s filloi turneun në Ballkan të dielën në Sarajevë, ku u takua me zyrtarë të Bosnje e Hercegovinës. Dje ai ka vizituar Kosovën, ndërsa sot përpos Serbisë, do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut.

– “Ku dhe si e vendosim ushtrinë, është puna jonë”

Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me NATO-n dhe me KFOR-in, “me shpresën se do të sigurojmë sadopak siguri për popullin serb” në Kosovë.

Sipas tij, KFOR-i ka garantuar paqen dhe sigurinë në Kosovë vetëm për serbët, duke shtuar se vetëm serbët kanë qenë të sulmuar në Kosovë.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like