Behgjet Pacolli sqaron raportin me Naim Murselin deri te emërimi i tij si këshilltar – Shqip

by admin
Spread the love

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka bërë një sqarim, se si është njohur me Naim Murselin, njërin nga të arrestuarit si i dyshuar për vrasjen e Liridona Ademaj-Murselit, bashkëshortes së tij.

Ai thotë se ka qenë Murseli ai që i është afruar atij kur ka qenë adoleshentë, derisa atëherë, sipas tij ka qenë duke u përballur me një sëmundje.

“Ai ka qenë pjesë e entourazhit tim që nga atëherë. Ndër vite, ka shfaqur interes për iniciativat e mia në median sociale dhe kam pasur mundësinë të ndihmoj në disa iniciativa biznesi që ai kishte nisur që nga viti 2019. Gjatë mandatit tim si Ministër i Punëve të Jashtme, kam pritur figura politike (deputetë e kryetarë komunash nga Suedia), ku ai ka qenë pjesë e përcjelljes së tyre”, ka shkruar Pacolli, përcjell KlanKosova.tv.

“Kështu lindi ideja, me kërkesën e tij, për ta nominuar si bashkëpuntor (këshilltar) të jashtëm (pro bono) gjatë mandatit tim në qeveri. Përveç kësaj, kam ruajtur një marrëdhënie të mirë me familjen e tij. Madje, une dhe shoqja ime ishim kumbarë të djalit të tyre. Liridona kishte miqësi me familjen time”.

Duke shprehur ngushëllime ndaj familjes Ademaj dhe dy fëmijëve, Pacolli ka thënë të mos ketë qenë në dijeni për ndonjë precedent konflikti për Naimin.

“Jam i prirur të besoj vetëm në anën pozitive të njerëzve dhe nuk do të mendoja kurrë se ai do të përfundonte në një akt kaq tmerrues.  Kam mbajtur heshtje këto ditë si shenjë respekti për vuajtjet e familjes së Liridonës. Gjithashtu, dua të përsëris se çdo individ është përgjegjës për veprimet e veta, dhe drejtësia duhet t’u tregojë secilit vendin e merituar”.

You may also like