Bashkim Haxhimusa ka dy fjalë për Ali Latifin dhe tregon se si Fahri Mahalla u dënua përjetë, shkak serbi

by admin
Spread the love

Bashkim Haxhimusa, ish karateist dhe ish anëtar i Lidhjes së Karatesë së Kosovës, ka përmendur disa periudha të vështira të ekzistimit të sportit të Kosovës dhe përballja me serbët.

Haxhimusa tregon edhe një rast interesant, rrahje mes shqiptarëve (shokëve të tij) dhe serbëve në Kampionatin e Kosovës. 

Në fakt, kush ishte Serbolubi?

Ish Borci i Ferizajt në vitet e 80-ta, Fahri Mahalla i treti në këmbë dhe Bashkim Haxhimusa, i pari nga e djathta

Kë e sollën nga Beogradi Oliver Ivanoviqi dhe Rajko Gariqi? Kush ishte Radomir Filipoviq?

Pse u dënua përjetë prof. Fahri Mahalla?

Haxhimusa ka dy fjalë edhe për veprimtarin e shquar sportiv Ali Latifi.    

“Ekziston vetëm një e vërtetë!!!

Shkrimet tuaja kanë zgjuar kureshtje tek sportistët e viteve 90-ta të cilët të gjithë në forma të ndryshme kontribuan që sporti të zhvillohet dhe pavarësohet nga sporti serb.

Atë çka e kam thënë për vëllezërit Latifi është shumë e vërtetë sepse  vërtetë ishin promotor të pavarësimit të sportit por, ndoshta ka edhe veprime të tjera që unë nuk i di, por e vërteta është se Ali Latifi është një personalitet me vlera të mëdha kombëtare dhe sportive.

Ne nuk po mund të pajtohemi me thënjen në artikullin tuaj, që të gjithë anëtarët e Bordit të asaj kohe i ka deleguar LK-ja.

Mua personalisht më ka deleguar trajneri i im, i madhi , prof. Fahri Mahalla i cili në atë periudhë kohore në çdo aspekt ka treguar vlera të mëdha kombëtare dhe sportive.

Në atë kohë unë isha student i FKF në vitin e dytë dhe pasi unë banoja në Prishtinë kisha mundësi më të madhe të isha  prezent në mbledhjet e Bordit, Fahriu më delegoi të përfaqësoj KK, ish Borcin.

Botërisht dihet se luftën kundër hordhive çetnike që gjendeshin të instaluar në Federatën e Karatesë së asaj kohe (1983-1986) e ka filluar ish Klubi i Karatesë Borci në krye me trajnerin prof. Fahri Mahalla dhe garuesit e ekipit të parë, ku në Gjilan në garën kampionale e rrahin deri në alivanosje referin famëkeq Radomir Filipoviq ku janë tronditur të gjitha organet shtetërore dhe i cili nga ajo rrahje ai gjatë nuk e ka  shkel tokën e Kosovës, por me vite qëndroi në Beograd.

Për këtë përleshje të rëndë i madhi Fahri Mahalla u dënua përjetë të mos ushtroj sportin e karatesë, unë  dhe dy garues të tjerë u dënuam me nga dy vite pa të drejtë zhvillimi aktiviteti sportiv pa të drejtë ankese.

Në atë periudhë, pas dy viteve pauzë prof. Fahriu u transferua si garues në Shkup me shpresë që ti largohet dënimi, ndërsa ne të tjerët e vuajtëm dënimin.

Gjatë asaj periudhe unë u mora në pyetje për gjashtë herë radhazi brenda një muaji nga njëfarë Serbolubi shef i sigurimit shtetëror në Ferizaj i cili bënte presione të dinte se mos ka  diçka mbrapa sportit, por ishte e kotë.

Klubi i Karates, ish Borci u sprovua edhe në Kampionatin e mbajtur më 1985/86 në Ferizaj ku Oliver Ivanoviqi dhe Rajko Gariqi kishin sjellur një garues nga Beogradi kampion në ish Jugosllavi, vetëm e vetëm të mposhtet KK ish Borci dhe të gjunjëzohet, ku për një periudhë të gjatë ishte i pa mposhtur në karaten e Kosovës.

Në ndeshjen mes Njazi Lohaj (tani i ndjerë) dhe njëfarë Millosheviqi plasi sherri, por edhe ai pësoi si është më së keqi dhe kështu trajneri prof. Fahri Mahalla dhe garuesit e ekipit të parë të ish klubit të karatesë Borci u bënë  të  padëshiruar për organet e sigurimit shtetëror të asaj kohe dhe kështu diku deri në vitet 90-ta mezi që mbijetoi si klub.

Nga vitet 90-ta ish Borci për shkak të pamundësisë për punë u nda në 5 seksione duke punuar nëpër bodrume apo ambiente të fshehura deri në periudhën e luftës së fundit në Kosovë”, thotë Haxhimusa për gazetën kombëtare “Bota sot”.

You may also like