Arifi: Lufta në Ukrainë, e ndërlidhur me liberalizimin e vizave – BE-ja s’është aspak korrekte

by admin
Spread the love

Profesori i Shkencave Politike,
Dritëro Arifi, ka përsëritur se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim
të vizave dhe se shprehet optimist se kosovarëve do t’iu hiqet regjimi i vizave
këtë vit, raporton Ekonomia Online.

Ndonëse thotë se liberalizimi i vizave
ka qenë i stërzgjatur dhe me kritere që asnjë shtet nuk i ka pasur, Arifi thotë
se është momenti i fundit që ky proces të përfundojë.

Në një intervistë për Ekonomia Online,
Arifi thotë se Bashkimi Evropian nuk e kanë mbajtur premtimin që kosovarët të
lëvizin lirshëm, teksa thotë se agresioni rus në Ukrainë mund ta ndryshojë
mendjen e Bashkimit Evropian.

“Po ka qenë një proces jashtëzakonisht
i stërzgjatur që nga viti 2012 që kur e kemi marrë udhërrëfyesin për
liberalizimin e vizave, ne 95 kritere që nuk i ka pas asnjë vend i Ballkanit
Perëndimor, por që BE-ja që nuk është treguar aspak korrekte me Kosovën pra nuk
po flas për kritere që i kemi pas dyfish më shumë por problemi që edhe kur i
kemi plotësuar ato kritere, nuk kanë qenë në gjendje ta mbajnë premtimin që e
kanë dhënë, pra heqjen e regjimit të vizave”, u shpreh ai.

Duke folur për këtë proces, Arifi
thotë se për të fituar liberalizimin e vizave, duhet koordinimi trepalësh
ndërmjet Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit të Ministrave.

Por Arifi thotë se shkaku i luftës në
Ukrainë, BE-ja ka rikthyer vëmendjen tek shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Në vitin 2018 për herë të parë
Komisioni Evropian e jep një dokument zyrtar që Kosova i ka plotësuar të gjitha
kriteret sa i përket regjimit të vizave, dhe që nga ajo kohë topi ka qenë te
Parlamenti Evropian dhe askund nuk ka shkuar tutje, sepse atëherë kërkohet ai
bashkëpunimi trepalësh ndërmjet Komisionit – Parlamentit dhe Këshillit të
Ministrave, dhe kjo e fundit nuk ka pasur interes dhe kësisoj procesi ka ngecur
aty. Tash e kemi një fazë të re, mirëpo kjo ndodhi për shkak të fatkeqësisë në
Ukrainë, pra u dashtë të ndodh një luftë dikund në Evropë, që Bashkimi Evropian
me u këndell në politikat e veta dhe me një farë forme BE-ja po dëshiron të
kthehet si faktor politik në Ballkanin Perëndimor”, thotë Arifi për EO.

Arifi ka treguar edhe procedurat e
këtij procesi, në mënyrë që kosovarët ta fitojnë liberalizimin e vizave.
Shprehet optimist se një gjë e tillë do të ndodh në fund të këtij viti.

“Procedurat janë të komplikuara sepse tash shkon në nivel të grupeve punuese, futet në agjendë dhe mandej ambasadorët e përhershëm të shteteve anëtare duhet ta votojnë pro ose kundër, por po supozoj se vendimi do të jetë pro, mandej prapë kthehet në Parlamentin Evropian ku prapë votohet dhe mandej kërkohet ky bashkëpunimi trepalësh dhe prapë kthehet te ambasadorët e vendeve të BE-së ku votohet me shumicë të thjeshtë dhe mandej shkon në Këshillin e Ministrave, pra kjo e fundit është hallka e fundit politike që e merr vendimin për po ose jo”, u shpreh ai, duke thënë se nëse ka dinamikë serioze, deri në fund të vitit mund të merret vendimi pozitiv.

You may also like