Arabia Saudite: Mbretëria do që të bëhet Meka e sportit dhe argëtimit

by admin
Spread the love

Nga Pierre Haski

Këtë javë, një njoftim shkaktoi bujë në botën e golfit profesional pasi tre qarqe konkurruese u bashkuan, duke i dhënë fund diçkaje të ngjashme me një ‘luftë civile’. Teorikisht nuk duhet ta trajtonim në këtë rubrikë gjeopolitike, nëse nuk do të ishte për rolin e luajtur nga Arabia Saudite.

Presidenti i njësisë së re në fakt quhet Yasir al Rumayyan dhe ai është kreu i fondit të investimeve publike saudite. Nëse i shtojmë kësaj se një nga protagonistët e mëdhenj të botës së golfit quhet Donald Trump – tre nga turnetë më të rëndësishëm mbahen në kurse në pronësi të tij – është e lehtë të kuptohet rëndësia e historisë.

Në të njëjtën javë, u publikua lajmi se dy futbollistë të mëdhenj francezë, Karim Benzema dhe N’Golo Kanté, do t’i bashkohen klubit saudit Al Ittihad, edhe ai në pronësi të fondit sovran saudit. Shifrat për dy transferimet nuk dihen, por sigurisht që janë të konsiderueshme. Benzema dhe Kante i bashkohen yjeve të tjerë të futbollit që luajnë në ligën saudite, si Cristiano Ronaldo.

Modernizim autoritar

Por çfarë po ndodh? Thjesht, Arabia Saudite dhe, në veçanti, Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, kanë vendosur të investojnë shuma të mëdha në sport, argëtim, kulturë dhe industri krijuese, dhe ata kanë xhepat mjaft të thellë për ta bërë.

Ka dy arsye pas kësaj zgjedhjeje. E para është e natyrës së brendshme. Princi i kurorës ka zgjedhur të hapë dyert për një shoqëri shumë konservatore në të cilën dy të tretat e popullsisë janë nën 35 vjeç. Festivali i muzikës elektronike me DJ David Guetta, shumëfishimi i ngjarjeve artistike, krijimi i muzeve të rinj. Mbretëria Vehabite i ofron popullatës së saj argëtim që ishte i paimagjinueshëm disa vite më parë.

Megjithatë, është një modernizim autoritar, sepse lehtësimi i kufizimeve shoqërore nuk shkon paralelisht me hapjen e një sistemi politik feudal. Toleranca zero për çdo kundërshtim mbetet e paprekur. Është paksa si modeli kinez në versionin saudit: një kontratë e madhe sociale me kusht që të mos kalosh vijën e kuqe politike.

Arsyeja e dytë është ndërkombëtare: Mbs, akronimi me të cilin thirret princi, luan kartën e fuqisë së butë për të pastruar imazhin ende të njollosur nga vrasja e Jamal Khashoggit në vitin 2018.

Arabia Saudite ka tërhequr vëmendjen prej pak kohësh për investimet e saj në sport dhe argëtim dhe jo për shkeljen e të drejtave të njeriut, dhe pikërisht ky është thelbi i nismës së MBS. Në të gjitha këto, Riadi shquhet edhe për rolin e vet gjithnjë e më autonom në diplomacinë rajonale dhe globale.

Është një karakteristikë e kësaj periudhe në të cilën balancat botërore vihen në pikëpyetje: vende si Arabia Saudite po emancipohen nga blloqet e aleancave. Riadi ka rivendosur marrëdhëniet me Iranin (ambasada iraniane në Arabinë Saudite rihapi zyrtarisht dyert më 6 qershor) dhe ndërkohë sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken po ecën mbi lëvozhga vezësh në mbretëri. Arabia Saudite nuk është më një territor i pushtuar, me sa duket.

Kjo strategji e zhvilluar në disa fronte nga princi i kurorës ka avantazhin e ndryshimit të imazhit të mbretërisë, por ka edhe të gjitha karakteristikat e ekuilibrizmit, si në transformimin e brendshëm ashtu edhe në aktivitetin ndërkombëtar. Të ndryshosh gjithçka për të ndryshuar asgjë, një manovër jo gjithmonë e suksesshme. / France inter – Bota.al

You may also like