STAMBOLL, 13 prill /ATSH-DPA/ – Një person humbi jetën dhe të paktën 10 të tjerë u plagosën pasi një kabinë teleferiku u përplas me një direk të rënë në qytetin turistik mesdhetar të Turqisë, Antalia.
”Nëntëdhjetë e tetë persona nga 184 të bllokuar në ajër janë evakuuar që nga aksidenti të premten në mbrëmje”, shkroi ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya në X.
”Përpjekjet e shpëtimit janë duke u zhvilluar me më shumë se 500 personel dhe tetë avionë”, shtoi Yerlikaya.
”Një total prej 25 kabinash fillimisht ndaluan në ajër”, tha autoriteti i fatkeqësive AFAD.
Një anëtar i shpëtimit u pa duke mbajtur një fëmijë në siguri nga një prej kabinave, treguan pamjet e transmetuesit Tele 1 sot në mëngjes.
Shërbimi i teleferikut shtrihet mbi 1,7 kilometra nga qendra e qytetit të Antalias deri në kodrën Tunektepe.
AA raportoi se një nga shtyllat e teleferikut ishte rrëzuar dhe se një kabinë e goditi atë dhe u përplas në një terren shkëmbor.
Aksidenti vjen në një sezon të ngarkuar, që përkon me festën e Fitër Bajramit, që shënon fundin e muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.
Teleferiku mësohet se është në funksion që nga viti 2017 dhe përbëhet nga 36 kabina.
Ai transporton turistët në majën e Tunektepesë, në një lartësi prej 605 metrash.
Udhëtimi zgjat rreth nëntë minuta.
Ka vend për gjashtë persona në çdo kabinë. Mund të transportojë 1 200 njerëz në orë.
Teleferiku ofron një pamje të Antalias, një destinacion popullor turistik./ a.jor.