90 dënime të përjetshme personit që vrau 23 njerëz në një dyqan Walmart në Teksas

by admin
Spread the love

Një person i bardhë që vrau 23 njerëz në një sulm me motive raciste ndaj konsumatorëve hispanikë në një Walmart në El Paso të Teksasit, u dënua të premten me 90 burgime të përjetshme. Ai mund të përballet me dënime të tjera, përfshirë atë me vdekje.

Patrick Crusius, 24 vjeç, pranoi fajësinë në fillim të këtij viti për gati 50 akuza federale për krime të urrejtjes lidhur me sulmin e vitit 2019 në El Paso, duke e bërë atë një nga rastet më të mëdha të krimit të urrejtjes, të trajtuar nga qeveria amerikane.

Crusius nuk foli gjatë seancës dhe nuk bëri asnjë reagim gjatë leximit të vendimit për dënimin e tij. Gjykatësi rekomandoi që zoti Crusius të vuante dënimin në një burg të sigurisë maksimale në Kolorado.

Policia thotë se Crusius udhëtoi më shumë se 1100 kilometra nga shtëpia e tij afër Dallasit për të vënë në shënjestër hispanikët me një pushkë automatike brenda dhe jashtë dyqanit Walmart në El Paso. Para fillimit të sulmit, Crusius postoi një frazë raciste në internet që paralajmëronte për një “pushtim” hispanik të Teksasit.

Crusius pranoi fajësinë në shkurt pasi prokurorët federalë hoqën shqyrtimin e dënimit me vdekje. Por prokurorët e Teksasit kanë thënë se do të përpiqen ta dënojnë atë me vdekje kur ai të dalë në gjyq në gjykatën shtetërore. Data e gjyqit shtetëror nuk është caktuar ende./VOA

You may also like