“Vlon” stacioni i autobusëve – mërgimtarët kthehen në perëndim! – Shqip

by admin
Spread the love

U çmallën në vendlindje, por duan pak më tepër respekt nga autoritetet

 Festat e fundvitit dhe ardhja e mërgimtarëve gjallëruan qytetet e vendit dhe padyshim se pati edhe impakt ekonomik për bizneset.

Pamjet që po I shihni janë nga stacioni i autobusëve në Tetovë. Me dhjetëra autobusë janë gati për të çuar mërgimtarët nëpër vende të ndryshme të Evropës.

Me përfundimin e pushimeve, tashmë mërgimtarët kthehen në vendet e tyre të punës, duke bartur me vete valixhet por edhe kujtimet nga pushimet e fundvitit dhe fillimivitit.

 – Mjaft mirë kemi kaluar. Më mirë s`ka qenë. Ka disa probleme por jo aq tragjike. Me parking, me gjëra të tilla. Të tjerat të gjitha në rregull.

 – Mirë na ka pëlqyer e gjitha por jo shumë mirë. S`di çfarë të them. Mirë. Pastërtia nuk na ka pëlqyer.

 – Shumë mirë na keni kënaqur. Më mirë se vendlindja ska si bëhet. S`kam parë diçka që nuk më ka pëlqyer. Për mua ka qenë në rregull, për të tjerët nuk e di.

 – Shumë mirë. Të gjitha na pëlqejnë. Shumë mirë në vendlindje gjithçka pëlqejmë. Ska gjë që nuk më pëlqen në vendlindje. E gjitha është në rregull.

Por, kishte edhe të tillë, që rruga e kthimit u ishte shndërruar në makth të vërtetë.

 – Katastrofë. Ishim në aeroport na kthyen. Mërgimtarët ne jemi katastrofë kur vijmë këtu. Më mirë mos të vish se të vish. Janë duke i marrë lekët dhe asgjë. Ai thotë ka problem aeroporti, ska të gjithë kemi qëndruar deri në ora tre të mëngjesit dhe thanë shkoni në shtëpi. Jo vetëm të Maqedonisë por të gjitha edhe në Kosovë është ashtu. Herën tjetër për besë nuk të vjen as malli të vish në vendlindje.

Të tjerë nuk janë të kënaqur me funksionimin e sistemit në vendet e tyre dhe me mungesën e disiplinës. Druajnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre në vendlindje.

 – Unë tani një vit jam, kam marrë këtë rrugë mërgimi. Këtu tek ne thjeshtë çdo gjë është mirë, vetëm sistemi dhe puna s`ka disiplinë, nuk kanë asgjë për momentin. Këtu tek ne është katrahurë që vet njerëzit e bëjnë këtë problematikë. Politika dhe vetëm politika këtë problem e bëjnë që njerëzit të ikin nga këtu. Unë 41 vite kam funksionuar, kam vepruar këtu por me të vërtetë është shumë e rëndë për fëmijët tanë. Kur ne nuk mund ta gjejmë veten këtu, ku ka mbetur më për fëmijët tanë.

Mërgimtarët kanë edhe disa porosi për autoritetet e komunave por edhe atyre në nivel qendror. Thonë se meritojnë pak më tepër respekt dhe duan që të mos maltretohen kur vijnë për pushime.

 – Porosi…këtë që thoshte masa të rrepta le t`i harrojë sepse i ka gënjeshtra. Gënjeshtra 100 %. S`ka masa të rrepta. Duke qenë se polici të ndalon dhe nuk bën asgjë, s`ka asgjë.

 – Të pastrojnë më shumë. T`i drejtojnë të gjitha t`i vënë në vend.

 – Por duhet t`u thuash këtyre të mëdhenjve se fakti që kur vijmë ato lekët këtu i shpenzojmë, nuk i shpenzojmë atje. Dhe na bëjnë probleme. Porosia jonë është të paktën këtë kohë që mos të na maltretojnë rrugës dhe nëpër udhëtime.

 – Me trafikun nuk janë të kënaqur, me rrugët. Ne nëpër fshatra rrugët i kemi shumë të prishura.

Pavarësisht sfidave gjatë ardhjes dhe largimit nga vendlindja, mërgimtarët duket se shfrytëzojnë cdo mundësi për të vizituar vendet e tyre të origjinës. Ashtu do të jetë edhe gjatë sezonit të verës.

Ne u dëshirojmë rrugë të mbarë dhe sërish të kthehen pranë të afërmve të tyre në vendlindje. /KlanMacedonia

You may also like