OBSH: Të paktën 154 milionë jetë të shpëtuara nga vaksinat në 50 vjet

by admin
Spread the love

GJENEVË, 27 prill /ATSH-ANSA/ – Vaksinat kanë shpëtuar të paktën 154 milionë jetë në mbarë botën në 50 vitet e fundit; mbi 92 milionë jetë të shpëtuara vetëm nga fruthi, është rezultat i një studimi të koordinuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Dhe për çdo jetë të shpëtuar nga vaksinat, u fituan mesatarisht 66 vjet shëndet të plotë, për një total prej 10.2 miliardë vitesh jetë të shëndetshme të fituara gjatë pesë dekadave.

Si rezultat i vaksinimit kundër poliomielitit, më shumë se 20 milionë njerëz që përndryshe do të kishin qenë të paralizuar, tani janë në gjendje të ecin.

“Vaksinat janë ndër shpikjet më të fuqishme në histori, duke i bërë të parandalueshme sëmundjet e dikurshme të frikësuara”, thotë drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Falë tyre, lija është zhdukur, poliomieliti është gati për t’u çrrënjosur dhe, me zhvillimin më të fundit të vaksinave kundër sëmundjeve të tilla si malaria dhe kanceri i qafës së mitrës, ne po i shtyjmë kufijtë e sëmundjes’’, shtoi ai.

‘’Me kërkime, investime të vazhdueshme dhe bashkëpunim , ne mund të shpëtojmë miliona jetë të tjera sot dhe gjatë 50 viteve të ardhshme’’, thekson OBSH.

You may also like