Sacchi zbulon telefonatën me Ancelottin

by admin
Spread the love

Arrigo Sacchi foli në “Gazzetta dello Sport” për Ancelottin, tregoi bisedën që ka pasur me trajnerin italian pas eliminimit të Bayern Munich në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve:

“Gjëja e parë që i thashë ishte se nuk mund të më bëjë të vuaj kaq shumë.

Dhe ai, që gjithmonë dëshiron të bëjë shaka, m’u përgjigj: Është taktikë, Arrigo. Ne bëjmë sikur jemi të vdekur dhe pastaj befas, në fund të lojës, ngrihemi dhe fitojmë”.

Për Ancelottin si trajner, Sacchi tha se është një nga më të mirët në botë: “E përgëzova, sepse arriti në finalen e Champions League për herë të gjashtë. Gjashtë herë nuk janë pak. Ai ka bërë një rrugë të gjatë dhe u ka treguar të gjithëve se është ende ndër trajnerët më të mirë në botë.

A e dini pse Carlo është i mirë? Sepse ka durim, ka pasion punën e tij, del çdo ditë në fushë dhe mundohet të përmirësojë fillimisht lojtarët e më pas veten.

Nëse dikush fiton në Itali, Angli, Francë, Gjermani dhe Spanjë, pra në kampionatet kryesore evropiane, gjithashtu fiton katër Champions League, ai është kampion i stolave”.

Sacchi paralajmëroi Ancelottin për rrezikun nga Dortmundi në finalen e “Wembley” dhe rrëfeu se hedhja në fushë e Joselu ishte sugjerim i djalit të tij: “Carlo është një njeri i ndershëm. Ai më tha se largimi i Joselu, golashënuesit të dy golave vendimtarë ndaj Bayernit, i ishte propozuar nga djali i tij, Davide. Në Madrid, ku kam disa miq, duke filluar nga presidenti Florentino Pérez, të gjithë më thonë se e adhurojnë.

I thashë të ketë kujdes, sepse Borussia Dortmund i Terzic është një ekip i fortë, që vrapon dhe bën presing lart. Duke e njohur, ai tashmë do të ketë filluar të studiojë për t’u përballur me gjermanët. Carlo Ancelotti është dikush që nuk i lë asgjë rastësisë, është i përpiktë, i saktë, ai e di se fitorja është rezultat i punës, sakrificës, përpjekjes dhe asgjë më shumë”.

Për ta përfunduar, Sacchi flet se si do të ndikojë zbarkimi i mundshëm i Mbappé në Madrid: “Jam kurioz të shoh se si Kylian do të arrijë të përshtatet në mekanizmat e Realit. Kur bëni blerje të caktuara, gjithmonë duhet t’i kushtoni vëmendje mënyrës sesi kampioni përshtatet në realitetin e ri.

Personalisht mendoj se edhe Carlo do të jetë në gjendje ta përballojë këtë situatë. Ai krijoi një grup me karakter shumë të fortë dhe këtë ma përsëriti edhe gjatë telefonatës së fundit. Ata janë të gjithë djem të shkëlqyeshëm, që e kuptuan rëndësinë e kolektivit”.

You may also like