FOKUS – Historia e panjohur e Kasparovit, shahistit gjeni i lindur në Baku

by admin
Spread the love

TIRANË, 10 maj /ATSH/ – Kampioni botëror i shahut, Geri Kasparov, e di shumë mirë që gjenialiteti i tij përpara fushës së shahut nuk do të kishte mjaftuar kurrë në rast se nuk do t’i vinte në ndihmë ish-presidenti i Republikës Sovjetike te Azerbajxhanit dhe më vonë i Republikës së Azerbajxhanit, Heydar Aliyev, sipas një shkrimi të ambasadës azere në Tiranë.

”Aliyevit nuk i interesonte që unë isha armen. Ajo që kishte rëndësi për të, ishte që unë kisha lindur në Baku. Pa mbështetjen e tij unë do të isha nxjerrë nga garat”, kujton Kasparov.

Me Kremlinin që mbështeste mjeshtrin e saj të shahut, Anatoli Karpov, Aliyev do të niste një luftë me Moskën për të promovuar djaloshin e talentuar, të lindur në Azerbajxhan, i cili vetëm shumë vite më vonë, pasi ishte shndërruar në ikonën e shahut botëror, tregoi sesi një turne në Banja Luka të Jugosllavisë në prill 1979 i kishte ndryshuar përfundimisht jetën.

Ai ishte 16 vjeç atëherë, kur iu lejua të merrte pjesë në turneun ku 14 prej 16 pjesëmarrësve ishin mjeshtra të mëdhenj.

Por, Kasparov u rendit i pari, pa asnjë humbje, duke siguruar fitoren dy raunde përpara fundit.

Banja Luka shënoi fitoren e tij të parë mes mjeshtërve të mëdhenj, duke i sjellë vlerësimin e parë ndërkombëtar. Emri i tij bëri jehonë në Bashkimin Sovjetik dhe pas rikthimit dhe  Kasparov tregon se ”ishte krejt një situatë tjetër. Unë dhe nëna ime vizituam Aliyevin. Ai shikonte perspektivën. Nuk e kishte problem që unë isha armen, rëndësi kishte që unë kisha lindur në Baku. Mund të më kishin nxjerrë nga gara shumë herë apo të më kishin privuar mundësitë për të vazhduar karrierën, por pritja e Aljevit më garantoi të kisha mbështetje nga brenda. Ata ndërtuan një bazë për mua në Zagulba (zonë turistike bregdetare në periferi të Bakusë). Ishte viti 1980. Me porosi të tij na u sigurua edhe një apartament”.

U deshën shumë vite më pas që Kasparov të tregonte sesi ia doli.

”E gjithë ndihma e Aliyevit nga 1979-1985 ishte si një mburojë. Sistemi sovjetik nuk kishte interes ta zëvendësonte kampionin rus me një gjak të përzier armeno-hebre nga Bakuja. Prandaj ndihma e Aljevit ishte e rëndësishme, sepse mu siguruan kushtet stërvitore dhe Aliyev ishte mbrojtësi im”, kujton Kasparov për ish-presidentin e Azerbajxhanit, që nuk e mbështeti vetëm si sportist, por ishte edhe një figurë atërore djaloshin e talentuar.

Geri e humbi të atin kur ishte shtatë vjeç.

Bashkimi Sovjetik kishte një sistem shumë të fortë mbështetjeje për edukimin e sportit të shahut, diçka që vazhdoi edhe në shtetet pas shpërbërjes.

Shkolla e shahut e Bakusë ishte dhe mbetet një nga kryesoret në mbarë botën me një sërë kampionësh të turneve të ndryshëm.

Gjatë kampionatit të fundit evropian të femrave në Greqi, shahistja azere Ulviya Fataliyeva, fitoi medaljen e artë dhe pesë nga 20 më të mirat e turneut ishin nga Azerbajxhani.

Kështu, prindërit e Gerit vendosën ta regjistrojnë atë në pallatin e pionierëve ”Juri Gagarin” në Baku.

Në qershor 1972, edhe pse nuk arrinte gjatësinë për t’u ulur në tavolinën e shahut, 9-vjeçari Kasparov arriti finalet e një kompeticioni të rriturish duke marrë nofkën ”fëmija çudibërës nga Bakuja” nga gazeta gjermano-lindore ”Neues Deutschland”.

Ai u bë kampioni i padiskutueshëm më i ri i botës në 1985, kur ishte vetëm 22 vjeç dhe mposhti atëherë kampionin Anatoli Karpov duke e mbrojtur titullin kundër rivalit të tij rus tri herë në 1986, 1987 dhe 1990./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like