(VIDEO) Opozita shqiptare kundër kazinove të Qeverisë: Investoni në shkolla dhe jo në kumar

by admin
Spread the love

Fronti opozitar shqiptar në një konferencë për media deklaruan se vendi ynë po ndërton tre kompani të reja të kazinove dhe me këtë sipas tyre kazinot do të hyjnë brenda shtëpive dhe shkollave tona. Kryetari i partisë “Lëvizja Demokratike”, Izet Mexhiti, tha se më 11 shtator, shteti shpalli vendimin dhe thirrjen publike për themelimin e tre kompanive të reja të kazinove dhe se nuk ka asnjë shpallje për spitale të reja, shkolla apo salla sportive. Ata thonë se ky vendim është nënshkruar nga zëvëndëskryeministri i parë Artan Grubi.

IZET MEXHITI, KRYETAR I LËVIZJES DEMOKRATIKE

“Biznesi i kazinove do të hyjë në shtëpitë tona. Biznesi i kazinove do të hyjë në shkollat tona. Biznesi i kazinove do të hyjë në objektet tona fetare. Shteti do të krijojë tre kompani të reja të kazinove. Duam që ta informojmë opinionin e gjërë se më 11 shtator, dhjetë ditë më parë, shteti shpalli vendimin dhe thirrjen publike për themelimin e tre kompanive të reja të kazinove. Nuk ka asnjë shpallje për spitale të reja, shkolla, kopshte, salla sportive. Ka shpallje për ngritjen e tre rrjeteve të reja të kazinove nën ombrellën e shtetit. Vendimi është miratuar nga Qeveria, i nënshkruar nga Artan Grubi, njeriu që qëndron pas çdo kazinoje në vend”.

Mexhiti tha se këto kompani të kazinove, të cilat do të jenë kryesisht shtetërore, do të mundësojnë bixhozin në internet, në telefona, tabletë dhe kompjuterët e shtëpisë. Ai theksoi se nëse deri tani duheshte të shkohet në një kazino, pas këtyre vendimeve të Artan Grubit dhe Qeverisë, kazinoja do të vijë në shtëpinë tuaj, vetëm me disa klikime në internet.

IZET MEXHITI, KRYETAR I LËVIZJES DEMOKRATIKE

“Deri tani vidhnin përmes taksave dhe faturave. Duhej të bënin tendera, të negocionin privatisht, të krijonin biznese në emër të dikujt tjetër, të fshiheshin. Të bëhem cinik, ata mundoheshin dhe lodheshin për të vjedhur dhe për t’u pasuruar. Tashmë ata po marrin dhe vjedhin paratë tuaja, nga shtëpia, direkt nga ju. Në planin e tyre, ju vetë duhet t’i çoni paratë në kazinotë që ata kontrollojnë dhe fëmijët tuaj nga shtëpia, nga shkolla, përmes internetit do të paguajnë drejtpërdrejt në llogaritë e tyre të biznesit”.

Mexhiti tha se opozita e bashkuar shqiptare e kundërshton fuqishëm këtë përhapje të infeksionit me kazino deri tani në çdo rrugë, tanimë edhe në internet. Ata thonë se pas këtyre vendimeve dhe bizneseve qëndron BDI dhe Artan Grubi. “Pothuajse nuk ka kompani kazinoje në këtë vend që të mos ketë njerëz nga rrethi më i ngushtë i Artan Grubit”, tha Mexhiti.

Medina Ajeti /SHENJA/

 

 

 

MARKETING




You may also like