(VIDEO) Nga sot nuk do të ketë më “çmime të garantuara”

by admin
Spread the love

Inspektorët nga Inspektorati Shtetëror i Tregut kanë vërejtur rritje të çmimeve të disa prej produkteve në disa prej tregjeve, nga dita e sotme pasi ka përfunduar masa e “çmimeve të garantuara”, ka njoftuar drejtori i Inspektoratit, Goran Trajkovski. Ai bëri të ditur se ekipet e ISHT-së janë në terren dhe po kryejnë inspektime.

GORAN TRAJKOVSKI: DREJTOR I INSPEKTORATIT SHTETËROR TË TREGUT

“Sipas informacioneve që i kam nga terreni që nga mëngjesi, disa nuk i kanë rritur çmimet, e disa i kanë rritur. Unë gjithashtu e di se furnizuesit me shumicë po manipulojnë çmimet ndaj furnizuesve me pakicë. Pritet se çmimet do të rriten prandaj iu bëj thirrje për përgjegjësi shoqërore nga ana e tregtarëve, që çmimet t’i lënë të njëjta”.

Nga dita e sotme në treg nuk do të ketë më “çmime të garantuara” të produkteve ushqimore, pasi që siç njoftoi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi ditë më parë, më 29 shkurt përfundon kjo masë dhe e njejta nuk do të vazhdojë më nga data 1 mars.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyçi të mërkurën paralajmëroi sanksione për të gjithë tregtarët që do t’i rrisin çmimet në mënyrë të palogjikshme. Ai njoftoi se inspektorati shtetëror i  tregut nga e premtja do të  jetë në terren dhe të reagojë në mënyrë të duhur ndaj çdo rritje të çmimeve.

Sipas një vendimi të qeverisë, i cili fillimisht ishte i vlefshëm deri në fund të nëntorit të vitit të kaluar dhe më pas u vazhdua disa herë, produkte ushqimore nga gjithsej 24 kategori janë shitur me çmime të ngrira që nga shtatori i vitit të kaluar. Masa përfshinte orizin, miellin, bukën, mishin, makaronat dhe produkte të tjera.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

 

 

MARKETING



You may also like