FOKUS – Vitamina D mund të rrisë rezistencën ndaj kancerit

by admin
Spread the love

LONDËR, 29 prill /ATSH-ANSA/ – Vitamina D mund të ofrojë një avantazh kundër tumoreve në të ardhmen duke forcuar përgjigjen imune ndaj kancerit, sipas një studimi në Institutin ”Francis Crick” në Londër.

Studiuesit zbuluan se minjtë e laboratorit të ushqyer me një dietë të pasur me vitaminë D kishin rezistencë më të mirë imune ndaj tumoreve të transplantuar eksperimentalisht në trupin e tyre dhe reaguan më mirë ndaj trajtimit të imunoterapisë.

Ky efekt u vu re gjithashtu kur kafshët u modifikuan gjenetikisht për të pasur më shumë vitaminë D në indet e tyre.

Për më tepër, ekipi zbuloi se vitamina D vepron në zorrë, duke favorizuar një bakter të quajtur ‘’Bacteroides fragilis’’.

Sipas studiuesve, është ky mikroorganizëm që u jep minjve një imunitet të përmirësuar ndaj kancerit. Studimet e mëparshme kanë propozuar një lidhje midis mungesës së vitaminës D dhe rrezikut të kancerit tek njerëzit, megjithëse provat kanë qenë jokonkluzive.

Për të hetuar më tej, studiuesit analizuan një grup të dhënash nga 1.5 milionë njerëz në Danimarkë, të cilat nxorën në pah një lidhje midis niveleve më të ulëta të vitaminës D dhe një rreziku më të lartë të kancerit.

Një analizë e veçantë e një popullate të pacientëve me kancer sugjeroi gjithashtu se njerëzit me nivele më të larta të vitaminës D kanë më shumë gjasa t’i përgjigjen mirë trajtimeve të imunoterapisë së kancerit./   /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like