(VIDEO) Kovaçevski: Ballkani i hapur, nismë ekonomike dhe jo politike

by admin
Spread the love

Liderët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë janë mbledhur sot në Beograd në edicionin e parë të Panairit të Verës, në kuadër të nismës Ballkani i Hapur. Sipas kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, me këtë panair dëshmohet se Ballkani i Hapur është nismë ekonomike dhe jo politike, ndërsa benefitet e kësaj nisme do t’i ndjejnë qytetarët e vendeve pjesëmarrëse.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Shumë njerëz pyesin a është Ballkani i Hapur një nismë politike? Ne ju themi se jo, është nismë ekonomike, dhe e konfirmuam një gjë të tillë sot. Sot ne lidhim ekonomitë tona, hapim tregje të reja, hapim vende të reja, ofrojmë një hapësirë për shkëmbimin e ideve për punë. Ballkani i Hapur sot tregon se çfarë do të thotë integrim, çfarë do të thotë politika e dyerve të hapura dhe fqinjësisë së mirë”.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nga ana tjetër thotë se vendet e Ballkanit duhet të heqin dorë nga ngatërresat me njëri tjetrin dhe të shohin nga e ardhmja, pasi rrethanat kanë përcaktuar që të jemi në një hapësirë dhe e kemi patjetër të bashkëpunojmë me njëri tjetrin.

EDI RAMA, KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË              
“Kemi humbur shumë kohë duke u përpjekur t’i tregojmë njëri tjetrit se kush është i pari, ndërkohë që një gjë e kemi mësuar të gjithë, që asnjë prej nesh nuk do të shkojë diku tjetër, të gjitha vendet tona janë këtu për të qëndruar edhe pas nesh, edhe shumë e shumë vite pas nesh dhe zgjedhja jonë është shumë e thjeshtë, si të qëndrojmë këtu në këtë vend duke qenë të gjithë në të njëjtën lagje të Evropës, duke u përpjekur ta bëjmë më të gëzueshme, më të jetueshme apo paqësore, apo duke hedhur gurë mbi tjegullat e njëri-tjetrit, duke i vënë flakën njëri-tjetrit siç kemi bërë prej shumë vitesh e shekujsh. Edhe këtu në këtë panair të nivelit të lartë evropian, është e qartë që është më mirë kështu së bashku”.

Por presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se pikërisht kundërshtimet ndaj Ballkanit të Hapur kanë afruar më shumë mes vete liderët e 3 vendeve nismëtare.

ALEKSANDAR VUÇIQ, PRESIDENT I SERBISË
“Dua të them diçka mjaft personale. Ideja jonë për Ballkanin e Hapur gjithmonë ka patur nga ata që kanë qenë kundër, ka patur kritikë, apo nga ata që kërkonin të gjenin gjilpërën në kashtë, për arsye të ndryshme, shumë njerëzve  nuk iu pëlqeu kjo ide. Kjo në fakt na ka sjellë më pranë njëri tjetrit. Ballkani i Hapur ka sjellë vetëm gjëra të mira dhe ne do vijojmë të punojmë më me zell, për një Ballkan më të mirë e më tërheqës. Uroj ta shijojmë këtë nismë”.

“Vizioni i Verës – Open Balkan” është panairi i parë ku tre vendet prezantojnë verërat e tyre para blerësve potencial. Sipas liderëve, ata presin jo vetëm zhvillim të ekonomisë por edhe të turizmit përmes panaireve të tilla.  /SHENJA/

 

You may also like