(VIDEO) Hekuran Duka i BDI-së rizgjidhet kryetar i Dibrës

by admin
Spread the love

Hekuran Duka, kandidati i BDI-së, i përkrahur nga LSDM dhe koalicioni, do të vazhdoj të jetë kryetar i komunës së Dibrës. Në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale në këtë komunë, ai mori 138 vota më shumë se kundër-kandidati i Koalicionit Aleanca për Shqiptarët – Alternativa,  Blerim Pocesta. Me 100 për qind të votave të përpunuara, Duka ka 4.291 vota, kurse Pocesta që fitoi 4.153.

Bekim Pocesta, kandidat nga ASh-AAA pas shpalljes së rezultateve për TV 21 tha se nuk e prisnin këtë zhvillim dhe dyshojnë në këto rezultate pasiqë siç tha në raundin e  parë dhe në rivotim ai ishte në epërsi.

Bekim Pocesta, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët – Alternativa

“Për ne ngelet që të bëjmë një analizë të gjithë proces verbaleve në ditën e nesërme dhe pastaj do të dalim me një deklaratë oficiale për procesin zgjedhor në këtë raund në qytetin tonë. Ne sigurisht e konsiderojmë veten fitues sepse me pastërti i fituam edhe raundin e parë edhe rivotimin në qendrën 0543 edhe gjithë ky proces i raundit të dytë është i dyshimtë sepse dolën në pah të gjitha metodat jo të pastra të atyre që vetëm 18 vjet e bëjnë të njëjtën gjë”.

Kryetari Duka premtoi se do të bëjë shumë ndryshime dhe u zotua se nuk do të lë asnjë të ri të ikë nga vendi.

Hekuran Duka, BDI

“Dibra për këto 4 vjet do të ndryshojë shumë, pasi ju kam juve mbrapa. Edhe këtë mandat ju premtoj se nuk ikën asnjë i ri nga Dibra më. Të gjithë do t’i angazhojmë këtu. Falënderoj edhe pushtetin qendrorë, në të cilat participojnë ministrat tonë nga radhët e BDI-së.”

Dibra është komuna e vetme në vend që votoi  këtë të dielë, pasiqë në rrethin e parë asnjëri nga kandiatët nuk  siguroi fitore, ndërsa më 31 tetor u përsërit votimi në një vendvotim. Përndryshe, në rrethin e parë të zgjedhjeve dhe pas numërimit të serishëm në një vendvotim, Pocesta kishte 209 vota më shumë se Duka.

Në këto zgjedhje lokale, VMRO fitoi gjithsej 42 komuna, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit,  LSDM mori 16 kryetarë, BDI 10 komuna, ASH-AAA 2, Lëvizja Besa 3, PDSH 1, por kryetari që fitoi Studeniçanin nga radhët e PDSH-së Azem Sadiki, ka kaluar në Aleancë, duke e lënë këtë parti pa asnjë komunë të fituar.

Emine Ismaili /SHENJA/

You may also like