Ukrainë – Rusia intensifikon bombardimet në Harkov; mobilizohen burrat nën 65 vjeç në Lugansk

by admin
Spread the love

“Dita e 47-të e luftës ishte një ditë e vështirë për Harkovin”, deklaroi Igor Terehov përmes një fjalimi me video.

Ai tha se janë bombarduar vendbanimet, infrastruktura dhe Parku “Gorky” në qytet.

“Fatkeqësisht, ka të lënduar dhe ç’është më e keqja, një nga fëmijët tanë ka vdekur”, vijoi kryebashkiaku i Harkovit.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se Rusia nuk ka hequr dorë nga plani i saj për të kapur plotësisht rajonet e Donjeckut dhe Luganskut.

Në deklaratën e lëshuar nga llogaria zyrtare e Shtatmadhorisë në rrjetin social “Facebook” thuhet se ushtria dhe populli i Ukrainës e vazhduan rezistencën e tyre heroike kundër pushtimit ushtarak rus edhe në ditën e 47-të të luftës.

“Trupat ruse e kanë vazhduar operacionin sulmues në zona të caktuara të Mariupolit. Armiku nuk ka hequr dorë nga plani i tij për kapjen e plotë të rajoneve të Donjeckut dhe Luganskut”, theksoi ushtria ukrainase.

Në deklaratë theksohet edhe se ushtarët rusë u përpoqën të bllokonin pjesërisht qytetin e Horkovit me sisteme raketahedhës shumëgrykësh.

“Ushtarët rusë po kryejnë aktivitete për të krijuar një efekt psikologjik mbi qytetarët e Hersonit dhe rrethinave të tij. Ata po shpërndajnë buletine informative, në të cilat shpjegojnë të ashtuquajturin operacion ushtarak të Rusisë me arsyetimet e tyre”, vijon deklarata e Shtatmadhorisë ukrainase.

Aty theksohet se në rajonin e Luganskut është shpallur mobilizim për burrat nën moshën 65 vjeç, sidomos për të plotësuar humbjet e ushtarëve në njësi.

“Forcat ruse po bastisin objektet publike dhe fabrikat për të identifikuar njerëzit e kësaj moshe dhe për t’i regjistruar ata me forcë si ushtarë”, sqarohet mes të tjerash në deklaratë.

Po ashtu Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës dha informacione në lidhje me humbjet e ushtrisë ruse midis 24 shkurtit dhe 12 prillit.

“Rreth 19.600 ushtarë të njësive ruse që sulmuan Ukrainën u vranë. Në të njëjtën kohë u shkatërruan 157 avionë, 140 helikopterë, 732 tanke, 1.946 mjete të blinduara, 349 armë të rënda, 111 sisteme raketahedhës dhe 63 sisteme të mbrojtjes ajrore të rusëve”, bëri të ditur Shtatmadhoria ukrainase duke shtuar se forcat ruse humbën gjithashtu 1.406 automjete, 7 anije dhe skafe të lehta, 76 autobote karburanti dhe 124 dronë.

Kurse zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, njoftoi se 4.354 persona të tjerë u evakuuan në zona të sigurta përmes korridoreve humanitare gjatë 24 orëvet të fundit.

Duke informuar opinionin publik në lidhje me evakuimet e bëra përmes korridoreve humanitare të hapura ditën e hënë, Iryna Vereshchuk deklaroi nga llogaria e saj në “Telegram” se 3.854 nga personat në fjalë u dërguan në Zaporizhie nga qytetet e Mariupolit dhe Berdianskut.

Vereshchuk njoftoi edhe se pavarësisht shkeljeve të vazhdueshme të regjimit të armëpushimit nga pala ruse, ata arritën të evakuojnë më 11 prill mbi 500 njerëz nga shumë qytete në provincën e Luganskut.

Ndërkaq, prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, deklaroi se po hetojnë 6.000 raste për krime lufte të kryera në Ukrainë.

E pranishme me anë të videokonferencës në një emision të transmetuesit publik holandez “NOS”, Iryna Venediktova tha se rusët synojnë “t’i shkatërrojnë ukrainasit” dhe se ushtarët rusë kanë marrë urdhra nga eprorët e tyre për disa sulme me bomba dhe vrasje kundër civilëve.

Pasi tërhoqi vëmendjen se rusët duan ta frikësojnë Ukrainën me sulme ndaj civilëve dhe ta detyrojnë vendin që të dorëzohet, kryeprokurorja ukrainase vijoi me këto fjalë: “Ne presim mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës dhe për të ndëshkuar kriminelët e luftës.”

Venediktova vuri në pah se ajo po përpiqet t’i shohë të gjitha pikat ku janë kryer krime të mundshme lufte, përfshi këtu edhe akuzat për “krime lufte” të kryera nga ushtarët ukrainas.

  • Zelensky: Trupat ruse lënë qëllimisht pas eksplozivë kur tërhiqen

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, argumentoi se trupat ruse qëllimisht lanë pas një sasi të madhe eksplozivi gjatë tërheqjes nga rajonet veriore të vendit të tij dhe kjo duhet të konsiderohet si një krim lufte.

Në videomesazhin e tij, ku vlerësoi ditën e 47-të të luftës, Zelensky deklaroi se vazhdojnë punimet për çminimin e rajoneve veriore të Ukrainës, të cilat u çliruan nga ushtarët rusë.

Duke vënë në dukje se në këto rajone çaktivizohen çdo ditë të paktën një mijë eksplozivë, Zelensky tha:

“Pushtuesit kanë lënë mina kudo; në rrugë, në shtëpi, në makina. Ky është një akt i qëllimshëm për ta bërë sa më të rrezikshëm kthimin në zonat e çliruara nga pushtimi”.

Zelensky theksoi se vendi i tij është bërë një nga zonat më të minuara në botë për shkak të veprimeve të ushtrisë ruse.

“Fakti që rusët i mbushin territoret e pushtuara me mina duhet të konsiderohet si krim lufte. Sepse kjo është diçka që bëhet për të vrarë apo gjymtuar sa më shumë njerëz edhe nëse duhet të tërhiqen nga toka jonë. Veprime të tilla kryhen me urdhër të drejtpërdrejtë”,- u shpreh presidenti ukrainas.

Zelensky pohoi se, përveç kësaj, Rusia ka njoftuar se ajo mund të përdorte armë kimike kundër mbrojtësve të Mariupolit. “Ne e marrim këtë shumë seriozisht. Kjo do të thotë se është e nevojshme t’i kundërpërgjigjemi shumë më fuqishëm dhe më shpejt agresionit rus”,- shtoi ai.

  • Nehammer: Putini do të bisedojë me Erdoganin për Ukrainën

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, deklaroi se Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka ende besim tek bisedimet e paqes që filluan në Stamboll (me Ukrainën) dhe se do të bisedojë me Presidentin Recep Tayyip Erdogan për këtë çështje.

Pas takimit me Putinin në Moskë, kryeqytetin e Rusisë, Kancelari Nehammer iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve austriakë.

Duke vënë në dukje se takimi me Vladimir Putin në përgjithësi nuk kishte shkuar shumë mirë, Nehammer tha se kjo iniciativë është e rëndësishme për vazhdimin e dialogut dhe kontaktit.

Karl Nehammer tha se Putin nuk reagoi ndaj propozimit për një takim kokë më kokë me presidentin ukrainas, Vladimir Zelenski.

Putini është për vazhdimin e bisedimeve midis vendit të tij dhe Ukrainës, të cilat filluan në Stamboll (më 29 mars),- u tha Nehammer gazetarëve dhe shtoi: “Ai ende u beson bisedimeve në Stamboll dhe do ta bisedojë këtë çështje me Presidentin Recep Tayyip Erdogan”.

Karl Nehammer u bë kryeministri i parë evropian që është takuar me Vladimir Putin që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

  • UNICEF: 142 fëmijë të vdekur si pasojë e luftës në Ukrainë

Drejtori i Programeve të Emergjencave në Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), Manuel Fontaine tha në paraqitjen e raportit të tij para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), pas vizitës që ka zhvilluar në Ukrainë, se 142 fëmijë kanë humbur jetën ndërsa 229 të tjerë janë plagosur në luftën që vazhdon me Rusinë që nga 24 shkurti.

Fontaine tha se ata janë të shqetësuar se gjysma e 3,2 milionë fëmijëve, që mendohet se kanë mbetur në Ukrainë, nuk kanë qasje në ushqim të mjaftueshëm, ndërsa theksoi se 1,4 milionë njerëz nuk kanë qasje në ujë të pijshëm për shkak të sulmeve në infrastrukturë.

Kurse në qytetet Mariupol dhe Herson situata është shumë më e keqe, tërhoqi vëmendjen Manuel Fontaine dhe tha se mbyllja e shkollave në të gjithë vendin ka prekur 5,7 milionë nxënës.

Drejtoresha e “UN Women” në Ukrainë, Sima Bahous tha se gjithnjë e më shumë po marrin ankesa për përdhunime dhe abuzime të tjera dhe bëri thirrje për një hetim të pavarur.

Edhe Linda Thomas-Greenfield, përfaqësuesja e përhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kombet e Bashkuara, vuri në dukje se 90 për qind e refugjatëve ukrainas janë gra dhe vajza, duke shtuar se sipas zyrtarëve lokalë, disa gra dhe vajza ukrainase presin flokët për t’i shpëtuar përdhunimit nga ushtarët rusë.

Zëvendëspërfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Dmitry Polyansky i quajti akuzat “gënjeshtra” që synojnë “diskreditimin” e forcave ruse.

Sergiy Kyslytsya, përfaqësuesi i përhershëm i Ukrainës në Kombet e Bashkuara, në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e akuzoi Rusinë për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas për birësim.

Kyslytsy argumentoi se Rusia rrëmben fëmijë nga rajone si Mariupol dhe Donjeck, duke thënë se “pushtuesit kanë marrë nga Ukraina më shumë se 121.000 fëmijë”.

  • Putin: Qëllimet e operacionit në Ukrainë do të arrihen

Me rastin e Ditës së Kozmonautëve që festohet në Rusi, Kryetari i Shtetit, Vladimir Putin së bashku me Presidentin e Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko vizituan Bazën Hapësinore “Vostochny”, që ndodhet në rajonin Amur.

Në fjalën e rastit që mbajti këtu Putin bëri deklarata edhe për luftën që vazhdon mes Rusisë dhe Ukrainës, ku tha se ushtria ruse i ndihmon qeverisjet separatiste në Donbas dhe ka marrë masa për të garantuar sigurinë e Rusisë.

Duke argumentuar se konfliktet në Ukrainë ishin të pashmangshme, Putin tha: “Ne nuk kishim zgjidhje tjetër dhe kjo është gjëja e duhur. Nuk ka dyshim se qëllimet në operacionin special ushtarak në Ukrainë do të arrihen. Këto synime janë të qarta dhe fisnike. Qëllimi ynë është të ndihmojmë popullin e Donbasit, që ne e njohim. U detyruam ta bënim këtë”.

“Ukraina po dirigjohet nga Perëndimi. Kievi refuzon të zbatojë marrëveshjet e Minskut që synojnë zgjidhjen paqësore të çështjes së Donbasit”,- shtoi shefi i Kremlinit.

Duke thënë se Rusia nuk dëshiron të izolohet nga bota, Putin vazhdoi si më poshtë fjalën e tij në kozmodromin “Vostochny”: “Ne nuk do të izolohemi. Në botën moderne, askush nuk mund të izolohet me sanksione të ashpra, aq më tepër një vend i madh si Rusia. Ne do të punojmë me partnerë tanë që duan të ndërveprojnë.”

  • Ministria ruse e Mbrojtjes: Kemi shkatërruar depo municioni dhe hangar avionësh në Ukrainë

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Igor Konshenkov, ka bërë deklarata për gazetarët të martën lidhur me aktivitetin e ushtrisë ruse në luftën në Ukrainë.

“Gjatë natës, raketa me precizion të lartë nga ajri dhe deti kanë shkatërruar: një depo municioni dhe një hangar me avionë ukrainas në aeroportin ushtarak Starokonstantinov në rajonin Khmelnytsky, si dhe një depo municionesh afër fshatit Gavrilovka, rajoni i Kievit”,- sqaroi Konashenkov.

“Forcat ajrore ruse kanë shkatërruar gjithashtu 32 objekte ushtarake ukrainase, përfshi sistemin e radarit për drejtimin e sistemit raketor të mbrojtjes ajrore “S-300” dhe sistemin raketor të mbrojtjes ajrore tip “BUK-M1”,- tha Konashenkov gazetarëve dhe shtoi:

“Deri më tani nga ushtria ukrainase janë asgjësuar: 130 avionë, 99 helikopterë, 244 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 443 mjete ajrore pa pilot (dronë), 2 mijë e 139 tanke dhe automjete të blinduara, 241 raketahedhës shumëgrykësh, 917 obusë dhe mortaja, 2 mijë e 46 mjete speciale ushtarake.”

Ndërkaq ka dështuar përpjekja e një grupi ushtarësh ukrainas për t’u arratisur mbrëmjen e djeshme nga një fabrikë e rrethuar në Mariupol.

“Rreth 100 ushtarë ukrainas u penguan me zjarr artilerie ndërsa përpiqeshin të arratiseshin drejt veriut të qytetit me automjete të blinduara”,- tha zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, duke shtuar se këtu kanë neutralizuar rreth 50 ushtarë ukrainas, dhe 42 të tjerë janë vetëdorëzuar.

Nga ana tjetër, Konashenkov njoftoi se qendra komanduese nëntokësore e ushtrisë ukrainase afër vendbanimit me emrin Çasov Yar në rajonin e Donjeckut është goditur me raketa “Kinjal”, të lëshuara nga avioni luftarak.

Ushtria ruse filloi një ofensivë kundër Ukrainës më 24 shkurt (2022).

You may also like