STAMBOLL, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Një komitet parlamentar turk ka dërguar protokollin e anëtarësimit të Suedisë në NATO për votim në asamblenë e përgjithshme, duke e çuar vendin nordik një hap më afër anëtarësimit në aleancën e mbrojtjes perëndimore.
Kërkesa e Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n ende duhet të miratohet nga organi i plotë legjislativ turk. Koha e këtij votimi mbetet e paqartë.
Turqia ka vonuar ratifikimin për më shumë se një vit për shkak të pretendimeve se Stokholmi ka ofruar mbështetje ndaj grupeve që Ankaraja i etiketon si “terroriste”.
Turqia është kryesisht e shqetësuar me Partinë e ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
Në tetor, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i kërkoi parlamentit të nisë një proces votimi për ratifikimin e pranimit të Suedisë në NATO pasi Stokholmi forcoi legjislacionin e tij kundër terrorizmit.
Komisioni i parlamentit për marrëdhëniet me jashtë dha sot mbështetjen e tij për votimin e plotë të legjislaturës për anëtarësimin e Suedisë.
Në mënyrë që një vend të anëtarësohet në NATO, kërkohet miratimi unanim i të gjithë anëtarëve aktualë. Hungaria gjithashtu nuk e ka mbështetur ende pranimin e Suedisë.//a.i/