Tjetër turne në Shqipëri/ FSHF organizon ‘UEFA Development’ për grupmoshën U-15

by admin
Spread the love

Federata Shqiptare e Futbollit po bëhet gati të organizojë një tjetër turne europian të UEFA-s, i treti radhazi brenda një 30 ditëve.  Bëhet fjalë për turneun ‘UEFA Development’ për moshën U-15 për djem, që do të zhvillohet në vendin tonë në datat 2-7 nëntor.

Një turne zhvillimor që i jep mundësinë futbollistëve të vegjël kuqezi të masin forcat me bashkëmoshatarët e tyre. Në bashkëpunim me FSHF-në, UEFA ka vendosur që ndeshjet të zhvillohen të gjitha në Shqipëri, teksa veç ekipit tonë kombëtar do të marrin pjesë edhe Sllovakia, Ishujt Faroe dhe San Marino, që do të grumbullohen në Shqipëri. Të gjitha sfidat do të zhvillohen në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz në datat 2, 4 dhe 7 nëntor.

Shqipëria U-15, e drejtuar nga Armand Dama do të nisë grumbullimin nga e premtja e 28 tetorit në Durrës, ku do të zhvillojë edhe seancat stërvitore në prag të këtij turneu të rëndësishëm e zhvillimor për këtë grupmoshë.

Turneu do të nisë më 2 nëntor, me Shqipërinë që do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Ishujve Faroe në ora 10:30, ndërsa në po të njëjtën ditë, Sllovakia do të sfidojë San Marinon në ora 13:30. Takimet e dyta të këtij turneu do të luhen më 4 nëntor, me sfidën Shqipëri – Sllovaki që do të zhvillohet në ora 10:30, teksa Ishujt Faroe do të luajnë ndaj San Marinos në ora 13:30. Sfidat e fundit në grup do të luhen më 7 nëntor, me kuqezinjtë e vegjël që do të përballen me San Marinon në ora 13:00 ndërsa Ishujt Faroe do të luajnë ndaj Sllovakisë në ora 10:00.

Në ditët në vijim do të bëhet publike edhe lista e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Damo. Vlen të theksohet se gjatë këtij viti, stafi i ekipit kombëtar U-15 me në krye teknikun kuqezi kanë zhvilluar grumbullime e seleksionime, duke testuar lojtarë të shumtë, por edhe sfida miqësore.

You may also like