“Thikë pas shpine Rusisë”, Putin premton ndëshkim të rebelëve të Wagner – Shqip

by admin
Spread the love

Rebelimi i grupit mercenar Wagner ka dridhur Moskën zyrtare. Pasi fillimisht në kryeqytetin rus u rritën masat e sigurisë, së fundmi ka qenë edhe Presidenti Vladimir Putin që ka dalë në një fjalim publik për këtë rast. Ai i është drejtuar kombit dhe e konsideroi një aventurë kriminale atë që po ndodh.

Putin tha se disa rusë “janë mashtruar në një aventurë kriminale”, por pa përmendur në mënyrë specifike luftëtarët rebelë të Wagner-it. Putin tha se e ardhmja e Rusisë është në rrezik, duke i përshkruar veprimet e kryengritësve si një “thikë pas shpine”.

Presidenti rus është kujdesur që të mos e përmendë personalisht shefin e Wagner, Yevgeny Prigozhin, por shtoi se “ambiciet” e larta të disave kanë çuar në “tradhëti të lartë”. Po ashtu ai paralajmëroi “ndëshkim të pashmangshëm” për ata që përçajnë shoqërinë ruse.

Putin theksoi se ka dhënë të gjithë urdhrat e nevojshme për t’u përballur me këtë krizë duke u zotuar se do të mbrojë Rusinë.

“Ai nuk e përmendi Prigozhin asnjëherë. Ai përmendi mercenarët e Wagner, por vetëm për të lavdëruar ata që luftuan për Rusinë”, shkruan BBC duke analizuar këtë fjalim.

Sipas prestigjiozes britanike, në fjalimin e tij, Putin ka theksuar rëndësinë e bashkimit të kombit. Po ashtu ai iu referua ngjarjeve të vitit 1917,  kur “rusët vranë rusët” gjatë luftës civile.

Në fjalim, ai përsëri pohoi se Rusia po “kundërshton agresionin neo-nazist”, retorika standarde e propagandës së Kremlinit për të justifikuar pushtimin e Ukrainës.

“Edhe pse nuk e përmendu kreun e Wagner me emër, fjalimi i tij, me sa duket synohet si një paralajmërim i drejtpërdrejtë për Prigozhin”, shkruan BBC.

E menjëherë pas fjalimit të tij, forcat ligjzbatuese ruse mësynë në zyrën e Wagner në St. Petersburg./tvklan.al

You may also like